Në Shqipëri, pasi Gjykata e Apelit ia njohu ish-kryeministrit Sali Berisha, drejtimin e Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha përjashton çdo formë bashkëpunimi me ata që i cilëson si hije të së shkuarës që janë kthyer në simbole të korrupsionit. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, zoti Basha deklaroi se ai do të vijojë përpjekjet duke iu ofruar shqiptarëve një alternativë të re, të ndryshme nga ajo që përfaqëson kryeministri Edi Rama dhe zoti Berisha. Kjo alternative, saktësoi ai, do të jetë në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se si do të shprehet Gjykata e Lartë, ku zoti Basha ka njoftuar se do të kundërshtojë vendimin e Apelit
– Zoti Basha, jemi në një moment të rëndësishëm për ju dhe aksionin tuaj politik. Ndërsa Gjykata e Apelit dha një vendim ku ia njohu përkatësinë e Partisë Demokratike, zotit Berisha dhe mbështetësit të tij, dhe kur zgjedhjet e ardhshme nuk janë fort larg, çfarë përfaqëson kjo, për të ardhmen tuaj politike?
Nuk e shoh asnjëherë në këndvështrimin personal, madje as thjesht të forcës politike që kam drejtuar deri të martën, dhe bashkimin e njerëzve që vazhdon të shpresojë për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri që meriton më shumë. Këtu është fokusi im, fokusi i atyre që na rrethojnë e që na mbështesin, sepse vendimi i së martës, përpos në këndvështrimin tonë, edhe profesional, është i padrejtë, e kjo është arsyeja pse do të bëjmë ankim në Gjykatën e Lartë, është një vendim në vazhdën e një bashkëjetese mes kryeministrit dhe ish kryeministrit, ku thelbi është që t’i mohojnë shqiptarëve një alternativë e një shpresë për të dalë nga kjo gjendje. Ndaj detyrimi ynë kryesor është ndaj shqiptarëve dhe për shqiptarët, të cilët meritojnë më shumë se sa të zgjedhin mes kryeministrit dhe ish kryeministrit, me sentencën, kush është më pak i korruptuar, që të kenë një alternativë të plotë. Për fat, vetëm dy javë më parë, kjo alternativë është shpalosur me të 5 komponentët e saj. Me familjen shqiptare në qendër, me propozimet tona për fondin për mirëqenien e familjes, me propozimet tona për ekonominë shqiptare, për taksën e sheshtë, për thjeshtimin e burokracive, për krijimin e një klime biznesi miqësore për bizneset shqiptare, që do të nxisë punësimin dhe të ardhura më të larta për shqiptarët, me propozimet tona për të përndjekurit politik dhe pronarët duke e kthyer Partinë Demokratike, për herë të parë në 34 vite, te premtimet e papërmbushura, me të cilat nisi rrugëtimin e saj, te siguria kombëtare, me propozimet tonë për xhandërmarinë kombëtare dhe për një qasje të re ndaj forcave të armatosura, dhe natyrisht te lufta ndaj korrupsionit, ku angazhimi ynë për mbështetjen ndaj Drejtësisë, në veçanti ndaj SPAK-ut, mbetet i palëkundur, si dhe propozime të tjera, siç është krijimi i njësisë për zbulimin dhe rekuperimin e aseteve dhe pasurive të vjedhura shqiptare, apo shndërrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në një gjykatë me forcë vendimmarrëse. Alternativa është shpalosur. Zoti Rama nuk do që kjo alternativë të diskutohet. Ai do që zgjedhjet e ardhshme të bëhet me gogolin Sali Berisha para socialistëve të mërzitur e të mllefosur me qeverisjen e tij të korruptuar. Zoti Berisha mjaftohet me vulën e PD-së. As unë dhe as mbështetësit tanë, nuk e kanë bërë kurrë këtë betejë, për vulë, për logo apo karrige, por për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse besojmë se Shqipëria meriton më shumë dhe jemi të gatshëm e të vendosur të ofrojmë më shumë se sa ofron tangoja e kryeministrit me ish kryeministrin.
-Zoti Basha, janë të shumtë ata që shohin në fjalimet tuaja, qëndrimin e një njeriu, i cili sikur sapo ka ardhur në politikë, ndërkohë që ju jeni në politikë prej shumë vitesh. Prej 2013 keni drejtuar opozitën. Është e vështirë për ta, të besojnë se ju mund të sillni një ndryshim. Si mund t’i bindni ata se ju jeni ndryshimi, ndërkohë që ju patët në dorë një opozitë akoma më të madhe se kjo forcë që po drejtoni tani dhe megjithatë nuk arritët ta çoni në pushtet…
Ankthi prej ndryshimit që unë përfaqësoj kulturalisht si brez, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, është ajo që ka mobilizuar të gjithë faktorët kundër nesh. Opozita e drejtuar nga unë është gjendur nën sulme si asnjë opozitë në 34 vite. Ju kujtoj këtu pagesat për 50 milionë sms, kundër meje personalisht. Korruptimin e Drejtorit të kundërinteligjencës amerikane të zyrës së Nju Jorkut të FBI-së, si një akt i paprecedente nga një anëtar i NATO-s, kundër një tjetër anëtari të Nato-s. Të gjitha për llogari të ngushta politike, për luftë politike, kundër meje si kryetar i Partisë Demokratike dhe alternativës që unë përfaqësoj. Për një arsye fare të thjeshtë dhe dua ta them fare qartë sot. Këta të dy i shohin shqiptarët si pula që u bëjnë vezë. Dhe në këtë fermë pulash ka një administrator të përgjithshëm që është kryeministri, dhe ka një bashkaksioner që merr pjesën që i takon. Këta nuk duan që ky realitet, i çimentuar prej të paktën 12 vitesh, të ndryshojë, dhe investimi më i sigurt, që kjo të mos ndryshojë, është të godasin çdo alternativë të besueshme, siç është Partia Demokratike nën drejtimin tim, siç është alternativa jonë për “Shqipëria meriton më shumë”. Ndaj ajo që ka ndodhur të martën, nuk është, asgjë tjetër, veçse një episod më shumë, në këto goditje 12 vjeçare ndaj meje, ndaj bashkëpunëtorëve të mi, ndaj kësaj alternative, ndaj kësaj mënyrë të re, kulture të re që mëton t’i trajtojë shqiptarët si qenie me dinjitet, racionale, që meritojnë më shumë, e për të ruajtur monopolin politik, për ta trajtuar Shqipërinë, si fermën e tyre të pulave, dhe për të vazhduar për t’i trajtuar shqiptarët, si pula që bëjnë vezë për ta.
-Zoti Basha, ju patët një përballje dhe brenda Partisë Demokratike, në 2021 kur larguat zotin Berisha. Megjithatë duket se përballja juaj me zotin Berisha, dështoi. Ju humbët mbështetjen e grupit parlamentar, i cili erdhi duke u reduktuar dhe rrezikon të tkurret më tej. Dhatë dorëheqjen nga PD, e u rikthyet. Zoti Berisha kishte marrë selinë e tani e humbët dhe zyrtarisht PD-në. Përse, për opozitarët, alternativa juaj është më e besueshme se ajo e zoti Berisha?
Sepse është e sinqertë. Është e drejtpërdrejtë. Unë nuk them se nuk është e vështirë. Përkundrazi. Unë po e them fare hapur se këta kanë synim ta pamundësojnë një alternativë për shqiptarët në zgjedhje. Ndaj bashkohen rreth kësaj pike, ndonëse bëjnë sikur luftojnë mbi pika të tjera që shqiptarët të mos kenë një alternativë. Cila është alternativa e zotit Berisha? Është kauza e tij personale dhe këtë e kupton fare mirë zoti Berisha. E di dhe zoti Rama. Për të, zoti Berisha është aseti i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E kuptojnë dhe ndjekësit e zotit Berisha. Dhe tregohen hipokritë me demokratët. Të gjithë e dinë që në këtë situate, PD nuk ka asnjë shans të vijë në pushtet e të largojë zotin Rama. Që PD të vijë në pushtet duhet të ketë një alternativë të besueshme që ta përqafojnë të gjithë shqiptarët. Për këtë qëndroj unë, për këtë qëndrojmë të gjithë së bashku, siç kemi qenë para datës 11 qershor, duke besuar në vlera, duke besuar në parime dhe tashmë me një ofertë të qartë politike. Ajo që dua të bëj të qartë për njerëzit, për ndjekësit tanë, por dhe për të gjithë shqiptarët, është që kjo alternative, do i paraqitet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht beteja jonë është që t’u paraqitet me logon e PD-së duke e kthyer atë te vlerat me të cilat e nisi rrugëtimin, ndonëse shumë prej këtyre vlerave u tradhtuan apo u harruan gjatë rrugës. Por kjo nuk është në dorën tonë. Në dorën tonë është të bëjmë gjithshka për kthimin e legjitimitetit të Drejtësisë dhe të shpalosim alternativën tonë, kudo anembanë Shqipërisë. Është diçka të cilën shqiptarët mezi e presin.
