Mariglen Qato, ish-kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, strukturës që ka përndjekur qindra qytetarë për mure e dritare pa leje, ka deklaruar se nuk e ka parë pallatin 7-katësh pa leje që po ndërtohej nga biznesmeni Julian Morina, në zonën e preferuar të Liqenit të Thatë në Tiranë.
Ai ka dhënë këtë deklarim në kuadër të hetimeve që po kryheshin nga prokurori i Tiranës, Arjan Përmeti, për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm” më shumë se njëherë nga Morina dhe kompania e tij, “Xheluks Konstruksion”.
Qato, tashmë nën arrest me urdhër të Gjykatës së Posaçme për atë që konsiderohet “afera 5D”, është shprehur më herët se “pallati 7 katësh pa leje i ndërtuar nga Morina ishte në mes të disa ndërtesave të tjera dhe nuk arritëm ta konstatonim”.

Godina 7 katëshe është një prej 4 objekteve të ndërtuara nga Morina në Tiranë dhe të konstatuar në paligjshmëri.
