Gjatë protestës së opozitës “Foltorja 2”, deputetja e Partisë Demokratike, Manjola Luku, mbajti një fjalim të ashpër ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar këtë të fundit për abuzim me fondet publike dhe përfshirje në vendimmarrje të parregullt lidhur me projektet infrastrukturore.
Sipas Lukut, tubimi i kësaj të hëne nuk ishte vetëm një akt politik, por një thirrje e gjerë publike për “përgjegjësi, transparencë dhe rindërtim të besimit tek shteti”.
“Atentatet tregojnë bashkëpunim mes shtetit dhe bandave” – Luku ashpërson tonet
Duke iu referuar ngjarjeve kriminale të ndodhura në muajt e fundit, Luku deklaroi se situata e sigurisë në vend është përkeqësuar ndjeshëm dhe se, sipas saj, disa atentate nuk shfaqin thjesht dobësinë e shtetit, por “bashkëpunim të strukturave shtetërore me grupe kriminale”.
Ajo përmendi rastin e grabitjes në aeroportin e Rinasit dhe vrasjen e ndodhur së fundmi në Elbasan, duke i cilësuar si shembuj të degradimit të mekanizmave të sigurisë.
Akuza ndaj Belinda Ballukut: “Bën pazar me paratë e shqiptarëve”
Pika kryesore e fjalës së deputetes ishte kritika e drejtpërdrejtë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Luku pretendoi se Balluku është kapur në komunikime ku flitet për ndërhyrje të parregullta në projektet publike.
“Ajo vendos nëpër kafene se si ndërtohen tunelet, si vidhen urat dhe kush duhet të bëjë supervizimet qorre,” deklaroi Luku, duke theksuar se ky është, sipas saj, një cenim i interesit kombëtar dhe i sigurisë së qytetarëve.
Përmendja e raporteve ndërkombëtare: “Shqipëria po portretizohet si narko-shtet”
Deputetja iu referua disa raporteve ndërkombëtare të cilat, sipas saj, flasin për konflikt interesi dhe keqpërdorim pushteti në vend. Luku theksoi se imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë po dëmtohet rëndë dhe se vendi po paraqitet si një “narko-shtet”, çka sipas saj është alarm për çdo qytetar.
“Sistemi ynë është i infektuar,” u shpreh ajo, duke shtuar se për të ndryshuar situatën kërkohet një qeverisje e re dhe institucione të depolitizuara.
Thirrje për ribashkim dhe zgjedhje të lira
Në mbyllje të fjalës, Luku theksoi se Shqipëria nuk është pronë e askujt dhe se qytetarët duhet të bashkohen për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme.
“Me Edi Ramën kryeministër dhe Belinda Ballukun zëvendësekryeministre, zgjedhje të lira nuk mund të ketë,” deklaroi ajo, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë protestat.
