Gazetarja Anduena Llabani deklaroi në një emision televiziv se dorëheqja e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka qenë e detyruar dhe e lidhur me zhvillime hetimore.
Sipas Llabanit, emri i Karçanajt përmendet në një dosje që po hetohet nga SPAK, ndërsa ajo pretendoi se ish-zyrtarja ka blerë një pronë me vlerë rreth 300–400 mijë euro, e cila dyshohet se lidhet me persona nën hetim për trafik ndërkombëtar droge. Gazetarja shtoi se kjo shumë, sipas informacionit që disponon, nuk është deklaruar.
Llabani theksoi gjithashtu se gjatë muajit dhjetor Karçanaj kishte marrë një banesë me qira, duke e cilësuar këtë si një lëvizje që mund të lidhet me zhvillimet hetimore.
Ajo shtoi se drejtuesit e institucioneve publike mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe se çdo dyshim duhet të zbardhet nga drejtësia. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Karçanaj lidhur me këto deklarata.
