Forcat e reja politike do të përfaqësohen në Parlament pas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe do të krijojnë një grup parlamentar.
Ky ishte besimi i shprehur sot në një emision televiziv kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani.
I pyetur nga moderatori nëse forcat e reja opozitare do të bashkohen, ai e pohoi, duke nënvizuar se vetëm të bashkuar mund të arrihej diçka, pasi më herët shumë parti dhe kryetarë partish të reja ishin dorëzuar duke u larguar apo dorëhequr.
Shabani doli edhe për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të listave të mbyllura që dakordësuan partitë e mëdha në Kodin Elektoral, duke u shprehur se “listat duhet të jenë të hapura, nuk duhet ta zgjedhë kryetari i partisë deputetin, por votuesi”.
Gjithashtu këmbënguli edhe për votimin elektronik, pasi kjo shmang “përplasjet e elektoratit” dhe “çunat e palestrave me Range Rover” që rrinë te qendrat e numërimit për të pritur kutitë.
Pyetjes pse sulmohen më shumë nga e djathta se e majta, Shabani iu përgjigj:
“Lufta e këtyre është për monopolin e opozitës. Dhe meraku i elektoratit është se kur shohin Berishën në krye të opozitës, thonë ky s’e mund dot Ramën! Ata kanë frikë mos humbasin monopolin e opozitës, luftë tipike për pushtet dhe godasin ata që i rrezikojnë. Nuk e kanë luftën me partinë tjetër, pasi e dinë që do humbasin zgjedhjet dhe thonë më mirë rrimë opozitë dhe mbajmë partinë, duke goditur forcat e reja që i rrezikojnë. Këta deligjitimojnë votuesit, i dekurajojnë dhe duke humbur zgjedhjet mbajnë kontrollin e opozitës. Berisha është formuar në marksizëm-leninizëm, përdor metodat staliniste të eliminimit të kundërshtarit. Këta merren me karakterin, jo me veprimet. Berishës tani i kanë rënë dhëmbët, por dikur përdorte skampistat, njerëzit me ZIS apo BÇ”.
Kurse gazetari Anri Bala e pyeti Shabanin nëse do dorëhiqej po të humbiste zgjedhjet dhe nuk përfaqësohej në Parlament.
“Është krijuar mentalitet, edhe Berisha me të njëjtin mentalitet, thonë s’kam pse iki. Të njëjtën gjë dhe Rama. Shumë janë dorëzuar, janë dorëhequr pas humbjes. Përfaqësues të forcave të reja që janë dorëzuar, kurse ne po rezistojmë. Nuk e kam problem dorëheqjen, a ka më të mirë se unë te nisma, sigurisht që po! Por ideja është të bashkohemi, të rezistojmë dhe vazhdojmë. Kemi marrë pjesë më 2021, më 2023 dhe do marrim pjesë më 2025, nuk jemi dorëzuar dhe kjo ka rëndësi. Shumë të rinj te ne s’duan të ekspozohen, nuk dalin sepse rrezikohen, intimidohen, ose kanë familjarë në vende pune që mund të rrezikohen. Është më e lehtë të japësh dorëheqjen se të mos dorëzohesh”, tha Shabani.
