Mungesa kronike e protezave ortopedike në spitalet publike shqiptare detyron qindra pacientë që të paguajnë nën dorë ose t’i blejnë nga xhepi përmes një sistemi që favorizon korrupsionin.
Rreth 8 muaj më parë, Lumja, 65 vjeçe, iu drejtua Spitalit Universitar të Traumës për shkak të dhimbjeve në këmbë. Përgjigja që mori pas ekzaminimeve ishte tronditëse: ajo duhej të bënte operacion këmbën dhe të vendoste protezë.
Por përtej problemeve shëndetësore, pacientja u përball edhe me një faturë financiare.
“E pyeta mjekun sa shkon si operacion? Si operacion tha, është falas, por ti do blesh vetëm protezën,” tregon Lumja. “Sa kushton proteza, e pyeta? Më tha që proteza për këmbën që të duhet kushton 3,500 euro,” shtoi ajo.
Ndërsa kostoja e protezës ishte shumë e lartë, Lumja thotë se kërkoi një zgjidhje alternative për ta përfituar atë falas, por në sistemin shëndetësor publik, asaj i duhej të priste deri në 3 vjet. Në këto kushte, ajo i shtriu dorën fëmijëve për ndihmë dhe e bleu protezën sipas udhëzimeve të mjekut
