Si mund të mbrohen artifaktet dhe sitet historike gjatë konflikteve? Sulmet me raketa mes Izreaelit e Iranit nuk morën vetëm jetë njerëzish e plagosën civilët, por rrezikuan edhe trashëgiminë kulturore në rajon.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), me bazë në Paris, shpërndau një deklaratë pas lëshimit të raketave të para mes Iranit dhe Izraelit në luftimet para disa javësh, ku theksoi se ka “rrezik të shtuar” për muzetë dhe punonjësit e tyre në Izrael dhe në Iran. ICOM, i cili përbëhet nga 8 mijë profesionistë të muzeve në mbarë botën, duke përfshirë anëtarë nga Izraeli dhe Irani. Këshilli Ndërkombëtar u kërkoi palëve që t’u përmbahen konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, edhe gjatë konflikteve. “Gjithsesi, ne s’mund të bëjmë më tepër se sa të këshillojmë dhe paralajmërojmë, tha për DW, Felicia Sternfeld, presidente e Komitetit Kombëtar Gjerman pranë ICOM.
Po sa ndikim pati apeli i Këshillit? Pavarësisht se luftimet u ndalën situata në terren është ende e nderë. Nga Irani vijnë informacione të vakëta, pasi qeveria vështirë se lejon gazetarë të huaj që të hyjnë në vend dhe e ka kufizuar ndjeshëm praninë e shtypit. Megjithatë, një gjë është e sigurt: planet e emergjencës u aktivizuan në të dyja vendet, sapo nisi konflikti Izrael-Iran. Me aq sa mundën, ekspertët punuan për të siguruar, hequr dhe zhvendosur asetet kulturore.
Evakuimi i Muzeut Kombëtar në Teheran
Irani është vend me trashëgimi të pasur kulturore, e cila përfshin 28 site të trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe rreth 840 muze, 300 prej të cilëve administrohen nga Ministria e Kulturës. “Irani ka një autoritet të mirë-organizuar dhe profesionist të trashëgimisë kulturore”, tha gjatë një interviste në radion “Deutschlandfunk”, Judith Thomalsky, drejtuesja e departamentit të Teheranit në Institutin Gjerman të Arkeologjisë.
