Dhoma Amerikane e Tregtisë ka reaguar ashpër ndaj draftit të qeverisë për krijimin e një mekanizmi “filtrimi” të Investimeve të Huaja Direkte, duke paralajmëruar se, në formën aktuale, nisma mund të krijojë pasiguri juridike dhe të dekurajojë investitorët e huaj seriozë.
Sipas Dhomës Amerikane, edhe pse qëllimi për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe rendit publik është i ligjshëm, drafti paraqet mangësi serioze që rrezikojnë stabilitetin ligjor dhe ekonomik të vendit. Ajo thekson se procesi i shqyrtimit të investimeve është i ndërlikuar dhe nuk mund të mbështetet vetëm në një vendim të Këshillit të Ministrave, por kërkon domosdoshmërisht një ligj të posaçëm.
Në reagimin e saj, Dhoma Amerikane nënvizon se mungon qartësia ligjore, transparenca dhe parashikueshmëria për investitorët. Terminologjia e paqartë dhe kriteret e papërcaktuara qartë krijojnë hapësirë për interpretime subjektive dhe trajtim diskrecional të investimeve.
Një tjetër shqetësim lidhet me arkitekturën institucionale të vendimmarrjes. Drafti përqendron kompetenca të gjera në një Komitet Ndërministror, pa rregulla të detajuara për funksionimin, votimin, kuorumin apo menaxhimin e konflikteve të interesit, çka sipas Dhomës Amerikane rrit rrezikun e vendimmarrjes arbitrare.
Gjithashtu, afatet procedurale vlerësohen joproporcionale. Afati prej pesë ditësh për dorëzimin e dokumentacionit nga investitori, me rrezikun e anulimit automatik të procedurës, shihet si i padrejtë dhe potencialisht penalizues. Edhe miratimi automatik në mungesë të një vendimi brenda afatit, sipas AmCham, dobëson seriozisht mekanizmin e kontrollit.
Dhoma Amerikane kritikon edhe parashikimin e seancave dëgjimore me investitorët, duke theksuar se kjo krijon perceptimin e një procedure hetimore apo ndëshkuese, në vend të një qasjeje nxitëse dhe miqësore ndaj kapitalit të huaj.
Në përfundim, AmCham i bën thirrje qeverisë që të rishikojë tërësisht projektvendimin dhe të hartojë një ligj të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja. Sipas saj, vetëm një kuadër ligjor gjithëpërfshirës, transparent dhe i harmonizuar plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian mund të garantojë një balancë reale mes sigurisë kombëtare dhe një klime tërheqëse për investime, veçanërisht në një moment kritik për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
