Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kryebashkiaku Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në seancën ku do të diskutohet buxheti i vitit 2026.
Në një intervistë për News 24, Lala u shpreh se vendimi i SPAK është plotësisht i drejtë dhe në përputhje me ligjin, duke theksuar se vetë Veliaj ka deklaruar publikisht se do ta ushtrojë funksionin përmes delegimit të firmës dhe kompetencave.
“E ka thënë vetë në GJK: do të qeveris me delegim”
Sipas Lalës, gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj është pyetur se si do ta ushtrojë detyrën për sa kohë ndodhet i izoluar, dhe përgjigjja e tij ka qenë e qartë:
“Do ta ushtroj funksionin përmes delegimit”.
“Veliaj e ka dhënë vetë përgjigjen para një institucioni kushtetues. Ai ka deleguar firmën dhe kompetencat tek zëvendësit e tij. Në këto kushte, kërkesa që të shkojë fizikisht në Këshillin Bashkiak është e pabazuar”, tha Lala.
Ligji nuk lejon ‘leje speciale’ për ushtrim detyre
Gazetarja theksoi se:
- Ligji nuk parashikon leje të posaçme për të paraburgosurit që të ushtrojnë funksione publike;
- SPAK e mban Veliajn në izolim për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe ndikimit mbi dëshmitarët;
- Në këto kushte, pjesëmarrja e tij në një mbledhje institucionale do të ishte në kundërshtim flagrant me arsyet e paraburgimit.
“SPAK thotë: unë e mbaj të izoluar sepse ekziston rreziku që të ndërhyjë në hetim. Nga ana tjetër kërkohet që ai të shkojë në Këshillin Bashkiak. Kjo është kontradiktë totale”, u shpreh Lala.
Krahasimi me rastin Beleri
Lala solli edhe një krahasim domethënës:
“Beleri nuk u lejua as të betohej sepse ligji nuk e lejonte. Veliaj nuk mund të trajtohet ndryshe. Nuk ka standard të dyfishtë.”
Sipas saj, kërkesa për praninë e Veliajt në seancë është më shumë qarravitje politike sesa kërkesë ligjore.
“SPAK është në të drejtën e tij”
Gazetarja theksoi se edhe pse ka kritikuar më herët mënyrën e shkarkimit të Veliajt nga funksioni si të paligjshme, në këtë rast ligji nuk i jep asnjë hapësirë mbështetjeje.
“Kam qenë në anën e Veliajt kur u shkarkua padrejtësisht. Por sot nuk mund ta mbështes, sepse ligji nuk e lejon. SPAK është në të drejtën e tij legjitime”, tha Lala.
Akuza të rënda dhe presion mbi hetimin
Në fund, ajo nënvizoi se:
- Akuzat ndaj Veliajt janë ndër më të rëndat ndaj një të zgjedhuri vendor;
- Hetimi duhet të përfundojë sa më shpejt;
- Çdo përpjekje për dalje publike apo institucionale nga paraburgimi minon arsyen e masës së sigurisë.
