Sulmet e Ilir Metës ndaj institucioneve të drejtësisë, e veçanërisht kreut të SPAK, Altin Dumanit morën vëmendjen dje të Kuvendit, ndërkohë debat pati dhe lidhur me pr/ligjin për prefektin, dosjen “Xibraka” dhe çështjen e mosheqjes së mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka. Deputetët e opozitës dhe mazhorancës shkëmbyen debate dhe akuza mes tyre. Por pas disa orësh, seanca maratonë janë miratuar dy projektligje në seancën e djeshme në Kuvend. Është miratuar me 96 vota pro, asnjë kundër Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë.” Po ashtu është miratuar me 71 vota pro dhe 27 kundër, Projektligj “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”. Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në interpelancën e thirrur nga deputeti Nasip Naço se do të ketë ndryshime ligjore për mënyrën e investimeve në strukturat e Forcave të Armatosura theksoi se Shqipëria ka vendosur si synim strategjik rijetëzimin e industrisë ushtarake dhe për këtë NATO ka bëtë një raport për vlerësimin e uzinave shqiptare. Sakaq gjatë prezantimit në Kuvend të pr/ligjit që i jep zgjidhje problematikës së mungesës së përkthyesit zyrtar për gjuhët e rralla Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, tha se ndryshimet do të kenë efekte pozitive dhe të shpejta në rregullimin e problemit. Sipas tij, në rastet kur ka mungesë të përkthyesve zyrtarë institucionet mund t’i drejtohen institucioneve diplomatike në vendin tonë.
Qëndrimet e PS
Fillimisht ministri i Brendshëm, Taulant Balla theksoi se ndryshimet synojnë të kthejnë rolin e prefektit më funksional, ndërsa opozita e quajti mekanizëm për të kontrolluar edhe pushtetin vendor. Ndërsa në reagimin e parë të qeverisë, për sulmet që pas Sali Berishës i nisi edhe kreu i Partisë së Lirisë, ministrja Elisa Spiropali deklaroi se përmes një gjuhe të dalë nga binarët, dy drejtuesit e opozitës po “kafshojnë” SPAK-un. “Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e dëlirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t’i dalë para”, deklaroi ajo. Më tej Spiropali u kërkoi deputetëve të Rithemelimit që t’i japin përgjigje akuzave dhe sulmeve nga “dy ballëlarët” e opozitës, Ilir Meta dhe Sali Berisha, ndaj Altin Dumanit. “A keni ju një opinion për këto, meqë keni opinione për gjithçka, bëni prokurorin e gjyqtarin. Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve në majë të thanës ju as nuk e përmendi, të dy presidentë të kësaj republike, dy kryeministra, të dy bela të këtij populli”, nënvizoi Spiropali.
Qëndrimi i Bardhit
Por replikën ia dha Gazment Bardhi, i cili përqendrua tek futja në rendin e ditës të mocionin me debat në lidhje me prodhimin e lëndëve narkotike në Shqipëri, pa thënë asgjë lidhur me sulmet e Metës kundër SPAK. Bardhi theksosoi se Rama është ai që ka dy standarde ndaj drejtësisë së re, ndërsa u ndal edhe tek mos dërgimi në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës. “Babai jot i gjithë drejtimeve, Edi Rama ka ekzaktësisht të njëjtin qëndrim që kur goditen kundërshtarët, lavdëron SPAK e kur i cenohen oligarkët, e sulmon. Delir madhështie ka vetëm babai jot, e dëgjove si i tha, më marrin liderët botërorë e më marrin në telefon për të zgjidhur hallet e botës. Kur goditet opozita nga SPAK thërret fitore, kur goditen interesat e tij iu kërkon llogari, për portin e Limionit. Bëhet zëdhënësi i oligarkëve. Ne nuk kemi asnjë hall, hall jeni ju. Nuk shëtisim çdo ditë siç shëtisni. Hyn Niko, del Ogerta, hyn njëri këtej del andej. Ora e drejtësisë për çdo gjë që i keni bërë vendin këto vite, do ngjitet tek ministrat, ish ministrat. Ka vetëm një hall për ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Sa për mbështetjen për drejtësinë, për interesat personale të një ish ministrit të Edi Ramës grisët dhe hodhët në kosh një vendim të GJK”, deklaroi Bardhi.
Qëndrimet e Bashës
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga ana e tij akuzoi Kuvendin se kanë kthyer Konferencën e Kryetarëve në “bunker” dhe në “Pazar” me Rithemelimin po bllokojnë iniciativat e Partisë Demokratike. “Qytetarët e dinë se ju prej 6 muajsh në mjegullën e ish revolucion rahmet pastë keni bllokuar dhjetëra iniciativa nga opozita. Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD për kampet e refugjatëve. Ku e keni interpelancën e kërkuar për Arben Ahmetaj. Ka 4 muaj që mbani në sirtar amendamentin për Kosovën. Ka nevojë të votohet amendamenti. E keni kthyer në bunker konferencën e kryetarëve. Pres përgjigje. Çfarë keni bërë me vetingun e politikanëve. Skam mbaruar. S’kam mbaruar. Ku e keni projekt vendimin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Ku i keni këto akte. Dy interpelanca me kryeministrin. Amendamenti 50 milionë euro për buxhetin e Kosovës. Projekt vendimi për heqjen e imunitetit të parlamentarëve. Pres përgjigje, pse nuk vijnë në seancë”, deklaroi Basha.
Dosja “Xibraka”
Ndwrkohw deputeti i Rithemelimit, Gazment Bardhi kërkoi futjen në rendin e ditës mocionin me debat në lidhje me prodhimin e lëndëve narkotike në Shqipëri. “Në shkelje të rregullores ju shkelët një çështje që është shqyrtuar në konferencën e kryetarëve. Nuk e keni sjellë në seancë plenare. Grupi parlamentar i PD, ka paraqitur kërkesë për mocion me debat sa i takon prodhimit shitjes së lëndëve narkotike në vend. Bazuar në shqetësimin si vend prodhues i lëndës narkotike, dhe vend tranzit. Lufta e qeverisë ka favorizuar grupe kriminale në tregtimin e narkotikëve. Keni marrë përsipër të bëni avokatinë e Olsi Ramës. Morët urdhër politik për ta bllokuar. Por keni detyrim të shpjegoni pse e bllokoni. Kemi detyrim për 10 minuta kohë të shpjegojmë pse duhet futur mocioni në seancë. Nuk mund të mbyllni kuvendin se pse nuk keni mbyllur dot procedimin penal për zotin Rama”, deklaroi Bardhi. Nga ana tjetër, Bardhi iu përgjigj kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, teksa theksoi se për këto çështje është ezauruar debati politik. “Ne nuk pranuan as rendin e ditës për ta diskutuar këtë çështje se është ezuruar nga drejtësia dhe kuvendi. Po të lexosh kërkesën e bërë nga grupi i PD, duket qartë që referencat lidhen duke filluar nga grupi Habilaj që është hetuar, janë marrë vendime nga gjykatat, për të vijuar me Xibrakën që është hetuar gjykuar dhe mbi të gjitha edhe një debat politik është bërë në kuvend për këto çështje. Ka pasur edhe një komision hetimor që e ka ezuaruar debatin politik. S’ka arsye që të ketë mocion dhe debat për këto çështje”, iu përgjigj Çuçi.
