Lakra, goma dhe një arkivol para vilës së Macron: Fermerët “pushtojnë” shtëpinë e pushimeve të presidentit, revoltë kundër taksave dhe marrëveshjes Mercosur

Data

Që në orët e para të mëngjesit të së premtes, fermerë nga zona të ndryshme të Francës u mblodhën përpara shtëpisë së pushimeve të presidentit francez në Le Touquet, duke zhvilluar një protestë simbolike dhe tejet të ashpër kundër politikave bujqësore të qeverisë.

Me traktorë, kamionë të mbushur me baltë, goma, karroca me lakra dhe një arkivol të vendosur përpara vilës, protestuesit dërguan një mesazh të fortë për atë që ata e quajnë “vdekja e botës rurale”. Në banderola shkruhej “Hani ushqim francez” dhe “Ndaloni taksat”, ndërsa forca të shumta sigurie ruanin perimetrin e banesës së presidentit.

Protesta vjen në vazhdën e pakënaqësisë së thellë të fermerëve ndaj politikave fiskale, kostove të larta të prodhimit dhe konkurrencës që, sipas tyre, vjen nga marrëveshjet tregtare të Bashkimit Evropian. Shkëndija e fundit ishte vendimi për të shtyrë për në janar nënshkrimin e marrëveshjes BE–Mercosur, një vendim që shoqatat e fermerëve e konsiderojnë të pamjaftueshëm dhe vetëm një manovër vonuese.

Për ditë me radhë, qindra fermerë kanë bllokuar rrugë, kanë organizuar protesta masive në rajone të ndryshme të Francës dhe kanë shkuar deri në Bruksel për të shprehur kundërshtimin e tyre. Pakënaqësitë lidhen jo vetëm me marrëveshjet tregtare, por edhe me mënyrën se si autoritetet po menaxhojnë epideminë e sëmundjes së lëkurës nodulare te bagëtitë, që ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike.

Nga ana e presidencës, është përcjellë mesazhi se qeveria po punon për mbrojtjen e bujqësisë franceze dhe interesave të fermerëve, por protestuesit shprehen se premtimet nuk mjaftojnë më dhe kërkojnë veprime konkrete.

Aksioni simbolik para shtëpisë së presidentit shihet si një paralajmërim i qartë se vala e revoltës rurale nuk është shuar dhe se presioni ndaj qeverisë pritet të rritet ndjeshëm në javët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related