Kush janë funksionarët socialistë nën hetim për pastrim parash, korrupsion dhe bashkëpunim me krimin, si Edi Rama do…

Data

Kryeministri Edi Rama duket se po përgatitet të bëjë ndryshime radikale në qeveri, administratë dhe Partinë Socialiste. Hetimet për pastrim parash, korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar kanë tronditur PS-në dhe kjo gjë pritet të sjellë një ndikim të madh brenda saj. Disa funksionarë të lartë dhe drejtues, sikundër janë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ministrat Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Niko Peleshi, apo dhe ish-ministrat Damian Gjiknuri, Olta Xhaçka, Saimir Tahiri, Ilir Beqaj apo Frida Krifca janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), për shkak se dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.

Madje lartë e poshtë ka zëra se edhe zyrtarët të tjerë socialistë “VIP” janë duke u hetuar nga drejtësia si të përfshirë në zullume. Këto veprime të paligjshme, që kryeministri Edi Rama thekson se janë bërë nga ata që, ai i cilëson si “njerëz që hanë kumbulla pas shpinës së tij”, e kanë vendosur atë në krye të një sfide të rëndësishme për të spastruar partinë nga të korruptuarit dhe inkriminuarit.

Prapaskenat

Gazeta ka mësuar se shefi i qeverisë është i vendosur për të bërë revolucion të thellë brenda shumicës qeverisëse që ai drejton sa i takon pushtetit qendror, vendor apo partiak. Mësohet se duke qenë se jemi një viti para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, Rama ka vendosur që t’i largojë apo shkarkojë nga qeveria e Partia Socialiste, të gjithë bashkëpunëtorët problematikë që kanë shkelur ligjin. Nevoja për një ristrukturim të thellë dhe për një angazhim të qartë për luftën kundër korrupsionit e krimit po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme, për të siguruar se administrata publike apo partiake do të jetë instrumenti kryesor i zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke respektuar vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Dhe këtë goditje, Rama pritet që t’ua japë në ditët në vijim, sinjal të cilin ai e lëshoi gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS të mbajtur këtë javë, nga ku dhe vendosi një standard të ri.

Rama mësohet të ketë kërkuar se “kush mbulon rolin e drejtorit dhe dëshiron me patjetër të kandidojë për të hyrë në Asamblenë e Partisë Socialiste, duhet më parë të dorëhiqet nga posti që ka”. Por ky kusht i vendosur nga shefi i selisë rozë ka shkaktuar panik në radhët e drejtorëve e drejtuesve të lartë që aspirojnë të jenë anëtarë të Asamblesë së PS. Mësohet se ata kanë frikë të japin dorëheqjen në këmbim të posteve partiake, por edhe për faktit se mund të dalin jashtë loje nga ky kriter. Kështu që deri tani, ata po tentojnë të bëjnë rezistencë, vendosmëri kjo që pritet të mos zgjasë shumë, pasi ultimatumi i Ramës u qëndron si hije mbi koka. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht, veçse një gjë është e sigurtë se thirrja e Kongresit të Partisë Socialiste më 27 korrik të këtij muaji, pritet të shkaktojë furtunë në radhët e qeverisë, administratës dhe PS sa i takon nivelit drejtues e jovetëm.

Paralajmërimi

Ndërkohë paralajmërimin për një Katarsis, kryeministri Edi Rama e bëri edhe pak ditë më parë ndërkohë që prezantoi nismën e re kombëtare për “Shqipërinë 2030”, në një fjalim të gjatë prej dy orësh para ministrave dhe grupit parlamentar. Fokusi i fjalës së Ramës ishte “lufta” kundër korrupsionit, duke theksuar se kjo nismë do të finalizohet me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për të shtyrë përpara këtë nismë, Partia Socialiste propozoi ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për të adresuar ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku kërkojnë edhe bashkëpunim e opozitës. Teksa korrupsionin e cilësoi si armikun më të madh të historisë shqiptare, kryeministri Rama u kujdes që qeverisjen e tij ta veçonte në këtë luftë, duke thënë se falë vendosmërisë së PS u realizua reforma në drejtësi dhe rrëzuan “monumentin” e kulturës së pandëshkueshmërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related