Kush janë dy ish-ministrat e Edi Ramës që po ndërtojnë resorte në Dhërmi dhe Butrint, ja si hynë në politikë me xhepa bosh dhe u krimbën në para, dalin në skenë edhe 5 oligarkë dhe 3 grupe kriminale që përfitojnë nga ligji për investimet strategjike

Data

Ligji kontravers i miratuar me debate në vitin 2015 dhe i shtyrë me një vit, ditën e djeshme në Kuvend, i lejon qeverisë përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Ligji është amenduar disa herë por në asnjë rast nuk ka sjellë investitorë të huaj dhe me potencial. Projektet e miratuar janë kryesisht për biznesmenë shqiptarë që kanë ndërtuar vila dhe resorte, ndërsa në shumicën e rasteve nuk ka ende asnjë investim. Opozita e cilësoi këtë një skandal të madh. Ka qenë deputeti Agron Shehaj dhe Gazment Bardhi të cilët kanë treguar se kush do të përfitojë nga ligji për Investimet Strategjike, edhe pse sipas tyre kuorumi nuk ishte plotësuar dhe miratimi i këtij ligji ishte shkelje flagrante e Kushtetutës.

Akuzat për dy ish-ministrat e Ramës

Deputeti Agron Shehaj foli dje për mediat pas përfundimit të seancës, ku akuzoi qeverinë se miratimi i këtij ligji i shërben vetëm miqve të saj, që do të marrin pronat e qytetarëve dhe do të pasurohen në kurriz të tyre. Ai mori shembullin e “Manastiri Resort”, i cili po ndërtohet në një truall që duhet të ishte Zonë e Mbrojtur, por iu dha kushëririt të ish-ministrit Damian Gjiknuri. Sipas tij, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me të gjitha Zonat e Mbrojtura, tashmë që mazhoranca miratoi edhe ligjin për ndërtimet në këto zona, pavarësisht kundërshtive të organizatave ndërkombëtare.  Nga ana tjetër ai përmendi dhe Olta Xhaçkën. “Kjo është ajo pika e vogël për të cilën fliste ministrja e Kulturës. Kjo pikë e vogël ishte pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Qeveria e hoqi nga parku dhe ia dha Gjiknurit. E njëjta gjë, me plazhin e Dhërmiu, ku ministrja (Olta Xhaçka) u fut në politikë me xhepat bosh dhe tani po ndërton një resort. Kjo është arsyeja pse u shty me 1 vit ligji për investimet strategjike, kjo është arsyeja që para dy javësh u aprovuam ndryshimet për Zonat e Mbrojtura. Këta kanë vetëm një qëllim,  të kapin çdo gjë që ka vlerë në bregdetin e Shqipërisë dhe të ndërtojnë resorte për veten e tyre, për miqtë e tyre, për familjarët e tyre. Nëse arrij të marr edhe votat e deputetëve të tjerë, do ta çoj në Gjykatën kushtetuese”, u shpreh Shehaj.

 

Oligarkët dhe grupet kriminale

Nga ana tjetër, Gazment Bardhi, nënkryetar i Rithemelimit, thotë se nga ligji për investimet startegjike përfitojnë vetëm 5 oligarkë, dhe 3 grupe kriminale. Sipas Bardhit, votimi nuk quhet i vlefshëm pa dalë rezultati, pasi në sallë për prezencë u tha se ishin 68 deputetë dhe që të nisë votimi duhen 71 deputetë. “Më pëlqen që jeni të lumtur. Në një seancë ku edhe pse sipas rregullores nuk kishte kuorum për votim. Që të hapet procesi i votimit duhet ë kenë votuar pro 71 deputetë. Deklarohet që janë 68 por kjo nuk e ndal vrullin për të miratuar ligjin për investimet strategjike që është në interes të një grushti oligarkësh. Sot ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji i investimeve strategjike dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë nga ky ligj, është e rëndësishme për opozitën që parlamenti ti kthehet normalitetit. Dua të deklaroj që sipas rregullores dhe kushtetutës asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur votimi nuk quhet i vlefshëm”, tha Bardhi. Kujtojmë se Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar në disa raste projekte në kushte konflikti interesi apo të biznesmenëve të panjohur dhe të lidhur me krimin, siç ishte rasti i fundit me Pëllumb Gjokën i arrestuar për tentativa vrasjesh. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton se korrupsioni sistemik nuk ka lejuar ardhjen e investitorëve të huaj. Sipas raportit, ligji i miratuar në vitin 2015, me objektiv promovimin e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr investime të huaja të konsiderueshme edhe pse afati i tij është shtyrë disa herë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related