Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka folur lidhur me ngadalësimin e proceseve hetimore dhe sfidat në zbatimin e reformës në drejtësi. Ai ka reflektuar shqetësimet e ngritura edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Raport i cili nga njëra anë lavdëroi punën e SPAK, por nga ana tjetër kritikoi sistemin në KLP dhe në KLGJ.
Sipas Karamuços, pas një periudhe të karakterizuar nga arrestime dhe operacione të mëdha, ka një ngecje të dukshme, veçanërisht që nga muaji shkurt, e cila u thellua gjatë fushatës zgjedhore, ndonëse ishte premtuar e kundërta. Karamuço u shpreh se ende mungon një qasje efektive për hetimin e krimeve zgjedhore dhe kërkoi mënyra të reja për përgjim në kohë reale. Eksperti theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te institucionet, por edhe te infrastruktura e munguar dhe pengesat strukturore që kanë sjellë një ngërç në funksionimin e drejtësisë.
