Kulla e Turanit, një monument kulture me vlera të rëndësishme historike dhe arkitektonike, do t’i nënshtrohet së shpejti një ndërhyrjeje emergjente për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar ndër vite.
E vendosur vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës, kulla ka qenë prej kohësh në gjendje të amortizuar, ndërsa reshjet e dendura të kohëve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën strukturore. Banorët e zonës kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke ngritur alarmin për rrezikun që paraqet objekti.
Sipas njoftimeve zyrtare, ndërhyrja emergjente do të nisë shumë shpejt dhe do të fokusohet në masa konsoliduese dhe restauruese, në përputhje me parimet e restaurimit konservues dhe ruajtjen e autenticitetit të monumentit. Kulla është përfshirë në listën e objekteve në rrezik dhe do të përfitojë nga fondet e dedikuara për ndërhyrje emergjente.
Specialistët e trashëgimisë kulturore kanë theksuar se monumentet historike në vend përballen shpesh me dëmtime nga faktorë natyrorë dhe mungesë mirëmbajtjeje të vazhdueshme. Sipas tyre, ndërhyrjet emergjente janë të domosdoshme, por duhet të shoqërohen me monitorim periodik dhe politika afatgjata për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Dëshmi e arkitekturës së fortifikuar
Kulla e Turanit ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe nga një ambient në çdo kat, duke reflektuar funksionin e saj kryesisht mbrojtës. Volumi i mbyllur, strehët e gurta të pazhvilluara dhe mungesa e dritareve janë elementë tipikë të arkitekturës së fortifikuar.
Me një sipërfaqe rreth 46.5 metra katrorë, dimensione 6.75 x 6.9 metra dhe lartësi rreth 15 metra, kjo kullë karakteristike është ndërtuar në skajin lindor të fshatit Turan dhe përbën një dëshmi të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë arkitektonike të zonës.
