“Kufiri shqiptaro-grek është i pambrojtur”/ Vendimi i Enverit që futi në sherr Stalinin me Titon. “Sebepi” që prishi miqësinë mes 3 udhëheqësve komunistë

Data

PROF.DR. ELMAS LECI*

Pjesa e dytë

Vazhdim nga numri i kaluar

Që Stalini luante me qëllimet dhe ambiciet e Titos në Ballkan, tashmë kjo nuk ka asgjë për tu zbuluar. Ai i bënte pikërisht këto manovrime që më vonë ta sulmonte Titon për ambicie të tepruar, siç e kritikoi dhe në fakt për të cilat e dënoi edhe konkretisht Titon. Këto duken edhe nga fakti që i dërguari sovjetik në Tiranë Çuvakini, në telegramet e tij dërguar në Moskë, merr një qëndrim plotësisht kundër jugosllavëve. Më 29 janar të vitit 1948, në bisedë me ambasadorin sovjetik në Beograd A.I.Llavrentjev, Tito e shprehu hapur ekzistencën e vendimit për dislokimin e një apo dy divizioneve ushtarake në Shqipëri. Sipas fjalëve të Titos, të miratuara sipas marrëveshjes me Enver Hoxhën, ai vendim ishte i motivuar me situatën se monarkistët grekë me pretekstin e luftës me partizanët e tyre, po përgatitnin të pushtonin pjesën jugore të Shqipërisë.

“Duhet t’u japim monarkistëve grekë dhe mbrojtësve të tyre të kuptojnë se Jugosllavia do ta mbrojë seriozisht Shqipërinë”. 19) Po sipas fjalëve të Titos, “në qoftë se nuk demonstrojmë këtë qëllim, atëherë monarkistët mund ta pushtojnë lehtësisht Shqipërinë e Jugut, sepse në thelb kufiri shqiptaro-grek është i pambrojtur”20). Më tej Tito deklaronte se ai “nuk ndan frikën e shprehur nga Moska lidhur me hapat e mundshme nga ana e anglosaksonëve. Nuk përjashtohet që të bëhet njëfarë zhurme gazetash, por me këto shpifje gazetash, tashmë jemi mësuar”. Dhe në vijim të bisedimeve me Titon, ambasadori sovjetik në Beograd Llavrentjev, shkruan se gjatë bisedës me Titon, u ra dakord me urdhrin e Moskës që “tani për tani Tito ta ndalojë dërgimin e forcave jugosllave në Shqipëri. Në qoftë se Bashkimi Sovjetik e konsideron të përshtatshme që përgjithësisht këtë të mos e bëjmë, – më deklaroi Tito, -atëherë Jugosllavia do të ndjekë këtë rekomandim. Por në rast se Greqia do të pushtojë Shqipërinë e Jugut, atëherë Jugosllavia bashkë me Bashkimin Sovjetik do ta hanë vetë këtë çorbë”21).

“KLEÇKA” QË U MBARS PA QENË THELBËSORJA

Informacionin e mësipërm lidhur me qëndrimin e J.B.Titos, ambasadori Llavrentjev patjetër që e transmetoi në Moskë, ja dërgoi Stalinit. Si përgjigje ndaj Vendimit të Titos, nga Moska më 1 shkurt të vitit 1948, u nis për të (për Titon), ky telegram kërcënues i Stalinit nëpërmjet Molotovit: “Nga biseda juaj me shokun Llavrentjev, duket se ju e konsideroni normale një situatë të tillë kur Jugosllavia duke pasur traktat për ndihmë reciproke me BRSS e konsideron të mundshme veten të mos konsultohet me BRSS për dërgimin e forcave të saj në Shqipëri, por as që të informojë BRSS për këtë, sipas rregullit të nevojshëm. Për dijeninë tuaj, ju njoftoj se Qeveria sovjetike, krejt rastësisht mësoi nga bisedat private të përfaqësuesve sovjetikë me funksionarët shqiptarë për vendimin e Qeverisë jugosllave, lidhur për dërgimin e forcave tuaja në Shqipëri. BRSS e konsideron këtë mënyrë jo normale, por në qoftë se ju e konsideroni këtë mënyrë normale, atëherë unë duhet t’ju deklaroj, me porosi të Qeverisë së BRSS se BRSS nuk mund të bjerë dakord me atë, që e vini përpara faktit të kryer. Dhe, natyrisht është e kuptueshme se BRSS si aleat i Jugosllavisë, nuk mund të mbajë përgjegjësi për pasojat e këtij lloj veprimi të kryer nga Qeveria jugosllave pa u konsultuar dhe pa dijeninë e Qeverisë Sovjetike. Shoku Llavrentjev na njoftoi se ju e ndaluat dërgimin e forcave jugosllave në Shqipëri, që ne e mbajmë parasysh. Por, siç duket, ndërmjet qeverive tona ka divergjenca serioze në kuptimin e marrëdhënieve reciproke nëpërmjet vendeve tona, të lidhura ndërmjet tyre me marrëveshje aleancash. Për të shmangur keqkuptimet, do duhet që këto divergjenca, sido që të jetë, të sheshohen”.22) Këtë telegram që mbante firmën e Molotovit, më 1 shkurt 1948 A.I.Llavrentjev ia dha Titos.

Për kryerjen e kësaj detyre ai njoftoi përsëri në Moskë. Dhe më tej Llavrentjevi shkruan se “Tito, pasi e lexoi telegramin dy herë, tepër i shqetësuar, tha se nuk e priste që Qeveria Sovjetike t’i jepte kësaj çështjeje një rëndësi të tillë. Ai pranon se u bë gabim. Duhej paraprakisht të konsultoheshim me Qeverinë Sovjetike dhe ky konsultim për problemet e politikës së jashtme që tani e tutje do të bëhet. Për hapa të tillë jo të drejtë të politikës së jashtme, reaksioni do t’ia ngarkojë përgjegjësinë Bashkimit Sovjetik. Divizioni jugosllav nuk do të futet në Shqipëri”.23) Nëntë ditë pas dorëzimit të notës së mësipërme të Stalinit e të Qeverisë sovjetike për Titon, lidhur me dislokimin e Divizionit në Korçë, numri dy i Jugosllavisë Eduard Kardeli, në emër të Titos shkoi në Moskë. Në bisedime me Stalinin, Kardeli foli edhe ”për shkeljet” e Jugosllavisë me Traktatin”.24) Para këtij takimi me Kadelin, Stalini kishte thirrur në një takim tjetër sekret zyrtarët bullgarë por edhe ata jugosllavë, në lidhje me mungesën e koordinimit mes tri qeverive për disa incidente të kohëve të fundit. Kardeli dhe Vakariçi arritën në Moskë të dielën më 8 shkurt të vitit 1948 dhe deri të martën më 10 shkurt nuk morën asnjë njoftim për takimin.

“Në mesditën e datës 10 shkurt, Branov na telefonoi për të na thënë se në orën 900 do të shkonin në Kremlin – shkruan Gjilas. Lesakovi na tha se bullgarët kishin ardhur të hënën dhe se delegacioni i tyre i lartë përbëhej nga Dimitrovi, Kolarovi, Koslovi e Kostovi. Në orën 900 të mbrëmjes shkuam në Kremlin dhe pasi u mblodhëm të gjithë, u drejtuam për në zyrën e Stalinit. Takimi zgjati rreth tri orë. Në takim ishin të pranishëm, Stalini në krye të tavolinës, Molotov, Malenkov, Zhdanov, Suslov e Zorin (në të djathtë të Stalinit), dhe Dimitrov, Kolarov e Koslov dhe Kardeli, Gjilasi, Vakariçi (në të majtë nga Stalini përgjatë tavolinës). Molotovi foli i pari. Ai theksoi se kishte një çështje mosmarrëveshjesh serioze mes sovjetikëve, Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Këto mosmarrëveshje janë të papranueshme,- theksoi Molotovim- si nga pikëpamja partiake dhe shtetërore. Si shembuj të mosmarrëveshjeve ai dha deklaratën e Dimitrovit për Federatën e vendeve Lindore dhe të Ballkanit duke përfshirë Greqinë, mungesën e koordinimit me BRSS nga njëra anë dhe Bullgarisë nga ana tjetër dhe zhvillimin e ngjarjes jugosllave në kufirin jugor të Shqipërisë (Korçë).

Stalini në atë takim foli kundër projektit të Dimitrovit për Federatën Europiano-Lindore dhe tha se të njëjtin mendim kishin edhe polakët. Kjo u miratua nga të pranishmit, por disa nga delegatët thanë se kishin menduar se kjo kishte qenë dëshira e Moskës, por Stalini tha se “shpjegimet e Dimitrovit në Agjencinë Telegrafike Bullgare për sqarimin e çështjes, nuk shpjegonin asgjë. Ai shtoi se Austria dhe Hungaria kishin ndaluar një plan bashkimi doganor mes Bullgarisë e Jugosllavisë. Gjermania ishte kundër dhe tani edhe Bashkimi Sovjetik”. Stalini u tha të pranishmëve se “Dimitrovi po përpiqej të largonte vëmendjen nga problemet e brendshme, tek ato të jashtme, të Federatës”.25) “Më pas Molotovi -shkruan Gjilas – kaloi në pikën e tretë të mosmarrëveshjeve, duke thënë se Moska kishte mësuar aksidentalisht për hyrjen e trupave jugosllave në Shqipëri. Shqiptarët i kishin thënë BRSS se trupat kanë kaluar me miratimin e sovjetikëve, në një kohë kur kjo nuk qëndron. Molotov nisi të citonte disa komunikime dhe Stalini i tha të lexonte me zë të lartë. Ai e pyet se cilin mesazh duhet të lexojë dhe Stalini i afrohet dhe i tregon njërin. Molotovi lexon mesazhin e ambasadorit sovjetik në Jugosllavi, Llavrentjev, mbi takimin me Titon. Duke e lexuar, bëhet e qartë se mesazhi është një përgjigje në lidhje me pyetjen nëse ka apo jo një vendim të Qeverisë Sovjetike për kalimin e trupave jugosllave në Shqipëri. Mesazhi thotë se ekziston një vendim i koordinuar i Titos me Enver Hoxhën dhe se motivi është “një sulm i mundshëm kundër Shqipërisë”.

Mesazhi thotë më tej se Tito nuk është dakord me Moskën që hyrja e trupave jugosllave në Shqipëri do të shkaktonte ndërhyrje të anglo-amerikanëve. Sipas mesazhit, “Tito thoshte se nëse ka diçka serioze, Jugosllavia dhe BRSS do ta zgjidhnin mes tyre ose nëse lëvizja kundërshtohet nga BRSS, Jugosllavia do të tërheqë menjëherë trupat nga Shqipëria. Në fund Molotov saktëson se Tito nuk i ka informuar ata për këtë mosmarrëveshje. Ai theksoi se marrëveshje të tilla janë të papranueshme dhe duhet të nxirren në diskutim dhe jo të fshihen. Më pas Dimitrovi, bullgarët e tjerë edhe Kardeli (i cili qe i vetmi që foli mes ne jugosllavëve), po tentonin të jepnin arsyet e tyre. Stalini i ndërpriste vazhdimisht. Ai na tha se “ajo që Jugosllavia e Bullgaria kishin deklaruar në Bled, nuk ishte një traktat po vetëm një ide për t’u pranuar në të ardhmen”. Sovjetikët thanë se këtë e mësuan nga gazetat. Stalini u thotë më tej se “Dimitrovi kërkonte të çudiste të gjithë botën dhe kjo dukej sikur Sekretari i Kominternit shpjegon qartë dhe durueshëm se si duhen bërë gjërat.

Ky është ushqim për reaksionarët amerikanë,-tha Stalini. Ata janë edhe në kohë zgjedhjesh dhe duhet të jemi të kujdesshëm të mos u japim argumente që lehtësojnë fitoren e reaksionarëve. Në opinionin tim, ne nuk duhet t’u japim asgjë, pasi kur reaksionarët dëgjojnë deklarata të tilla për Europën Lindore, triumfojnë fitoren e tyre. Dhe kjo lidhet me çështjen e Shqipërisë. Tri fuqitë botërore, Anglia, Amerika dhe BRSS, e kanë garantuar me marrëveshje të veçantë pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria është pika jonë e dobët, pasi shtetet e tjera janë edhe anëtare të OKB-së ose të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa Shqipëria jo. Nëse trupat jugosllave hyjnë në Shqipëri, reaksionarët e Anglisë dhe të SHBA e përdorin këtë si pretekst për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë.26)

Në një moment të takimit, Eduard Kardeli i deklaroi Stalinit se ndoshta me traktatin bullgaro-jugosllav ata (jugosllavët) ishin nxituar. Stalini i zemëruar e ndërpret: “Absurditet! Divergjenca ka, dhe të thella! Çfarë do thoni ju lidhur me Shqipërinë? Përgjithësisht, ju nuk u konsultuat me ne lidhur me futjen e forcave tuaja në Shqipëri”.27) Eduard Kardeli qetë, qetë u përpoq që ta sqaronte Stalinin përsëri se për këtë ka pëlqimin e Qeverisë së Shqipërisë. Por Stalini përsëri pa e përfunduar mendimin Eduard Kardeli, e ndërpreu: “Fakti është fakt, që ju nuk u konsultuat me ne për problemin e dërgimit të Divizionit jugosllav në Shqipëri”.28) Ndërsa Stalini në Moskë vijonte me gjeopolitikën sovjetike dhe në këtë kuadër u kërkonte llogari jugosllavëve për vendimin e miratuar edhe nga Enver Hoxha për dislokimin e Divizionit ushtarak në Korçë, Enver Hoxha në Tiranë me finokllik përgatiste lloj-lloj variantesh që t’i justifikonte ende punët e tij në shërbim të Titos. “E mbaj mend si tani, – shkruante Liri Belishova ish zëvendësja e Enver Hoxhës, – që në një mbledhjet të Byrosë, në atë kohë kur bëhej si pushim, Enveri për t’i dalë përpara kësaj, më tha: “Ka letra që ne i kemi bërë Titos, por ato nuk janë bërë seriozisht, por për t’i blerë mendjen atij”. Dhe më tej ish zëvendësja e Enver Hoxhës do të shkruante se “të tërë politikanët, është zor që t’i gjesh me ideale të pastra, por Enveri dhe veprat e tij po t’i lexosh, del qartë që mbi çdo gjë ka vënë fronin e tij. Të tërë ata që e kundërshtuan, ai u hëngri kokën, i pushkatoi ose i kalbi në burgje e internime”.29) Pas gjithë asaj shoshitje e llogarie, në janar të vitit 1948, Stalini u dha ultimatumin përfundimtar jugosllavëve për t’u tërhequr nga Shqipëria dmth., për të anuluar planin e dislokimit.

”Ju nuk jeni konsultuar me ne për marshimin e armatës suaj në Shqipëri! Ju nuk na konsultuat fare! Ky nuk është gabim që ju ka ndodhur juve, por është politika juaj. Po, politika juaj!”, – u tha prerë Stalini jugosllavëve.30) Një muaj më vonë, në shkurt të vitit 1948, Partia Komuniste sovjetike bazuar te gjeopolitika e tyre do ta sulmonte publikisht Partinë Komuniste jugosllave dhe do të fillonte ndaj saj bllokadën e gjithanshme. Nuk ishte Shqipëria ajo që prishi marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, as çështjet “parimore” të Informbyrosë por ishin çështje të tjera, ishin kryesisht të rivalitetit Stalin-Tito. Brenda natës, Jugosllavisë i u ndalua importimi i naftës nga Rusia. Pikërisht këtu e në këto momente ndodhi edhe prishja e marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Titos. “Antimarksist, nacionalist, agjent i imperializmit, kalë Troje” ishin disa nga emërtimet që “zgjodhi” Enver Hoxha për Titon. Siç e thamë, prishja e madhe nuk ndodhi për Shqipërinë, por ishte për rivalitetin personal Stalin-Tito, për gjeopolitikën e tyre sovjetike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related