Kryeprokurori Çela ngre alarmin për arrestimet, del kundër Kodit të ri Penal dhe nxjerr detajet nga raporti…

Data

Teksa raportoi dje në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve parlamentare “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme sa i takon vitit 2024, kryeprokurori Olsian Çela fillimisht veçoi shqetësimin e mbipopullimit të burgjeve. Pavarësisht rekomandimeve, theksoi Çela, nuk ka asnjë reflektim nga prokurorët, të cilët vijojnë me masat ekstreme burg dhe jo përdorimin e masave të paraburgimit. Sipas tij, 80% e masave të sigurisë janë arrest në burg gjatë 2024-ës, në rritje nga një vit më parë. “Janë paraqitur në gjykatë 13 062 kërkesa për sigurimin personal. Të dhënat mbi kërkesat e prokurorëve për masat e sigurimit tregojnë se në 2024, rreth 60% të të pandehurve ose për 34 të personave në hetim është kërkuara masë sigurimi shtrënguese. Rezulton se 59.5% të kërkesave lidhet me caktimin e mase me arrest, të kërkuara për thuaj 36% të të pandehurve të regjistruar ose 20% të personave në hetim në total. Në 2023, është kërkuar masa sigurimi shtrënguese për mbi 55% të të pandehurve të regjistruar ose 32% të personave në hetim. Rreth 59.3% e kërkesave  lidhet me caktimin e masës me arrest, e kërkuar për 32.8% të të pandehurve ose për 19% për ata në hetim. Vetëm në 31 raste në total është kërkuar masa e garancisë pasurore. Ndërkohë që është kërkuar arresti me burg ndaj 3 078 personave, dhe detyrim paraqitje ndaj 2611 personave. Ka një tendencë për përdorimin e masave më ekstreme nga prokuroritë dhe gjykatave. Nisur nga këto të dhëna u miratua në korrik 2024, një udhëzim për masat e sigurimit. Megjithatë, me gjithë këtë udhëzim, ende nuk ka reflektim nga ana e prokurorëve”, deklaroi ai.

Ndryshimet në Kodin Penal

Më tej gjatë fjalës së tij, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela kritikoi qasjen dhe metodologjinë e ndjekur për draftin e Kodit të ri Penal, duke e cilësuar si represiv dhe jo urgjent. Ai theksoi se mungon kritika serioze mbi këtë draft pavarësisht diskutimeve publike, ndërsa shtoi se argumentimi i përdorur se do t’i përshtatet nevojave të integrimit në Bashkimin Evropian nuk qëndron për shkak se deri më tani kanë bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë edhe me Kodin Aktual dhe se nuk kanë pasur asnjë problematikë. Sipas tij, Kodi aktual ka pasur nevojë për rishqyrtim dhe përmirësim të disa dispozitave, por jo ndryshim të bazave të aplikimit të tij. Çela deklaroi gjithashtu se edhe argumenti se Kodi aktual funksionon prej vitit 1995 dhe është i vjetër nuk qëndron sepse ka Kode të vjetra që funksionojnë më së miri. “Nëse do të arrini të pyesni ata që janë prokurorë e gjyqtarë se cilët janë problemet me kodin që kemi. Ende unë sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka Kodi Penal aktual. Është që nga 1995, ka gjetur zbatim dhe përmes përmirësimeve në legjislacion, ka gjetur zbatim dhe aplikohet pa probleme serioze nga gjykatat dhe prokuroritë. Pikënisja në ndryshimet në ligj është kjo. Unë shoh fillimin e problemit sa i përket konceptimit të një procesi të ndërtimit të legjislacioni si Kodi Penal. Pra është ligj i rëndësishëm, kjo mënyrë kjo pikënisje përcakton edhe metodologjinë mbi të cilin ngrihet puna për draftimin e kodit. Nëse kemi prezencë se cilat janë probleme me që ka kodi, që të duhen të reflektohen në një proces të ndryshimeve ligjore. Deri në 2024, nuk kemi raportuar në asnjë moment për problemet në Kodin Penal. Cila është filozofia mbi të cilin ndërtohet? Përafrimi me kërkesat e integrimit, është një kriter që natyrshëm nuk mund të prekë gjithë Kodin Penal. Ne me këtë kod bashkëpunojmë me partnerët dhe s’kemi pasur asnjë problem, dmth që dispozitat tona janë me frymën e kohës. Unë kam një opinion që ndikohet nga fakti që në mungesë të një metodologjie dhe të përcaktimit të nevojave, nuk shoh një reflektim të nevojave të shoqërisë. Dy janë argumentet që kodi është i ’95, që nuk është argument sepse ka kode të vjetra që funksionojnë më së miri. Dhe tjetra integrimi evropian. Ne i kemi azhornuar kodet sipas nevojave të integrimit. Për mua deri tani ka pasur për risistemin për dispozitave të Kodit dhe përmirësim aty ku është e mundur, port ë ndryshosh bazat nuk është e lehtë. Kodet i bëjnë profesorët pasi dëgjojnë nevojat e praktikantëve dhe shikojnë tendencat e shoqërisë, praktikat më të mira botërore. Kjo kërkon kohë dhe kujdes mbi gjithë procesin. Nëse ne mendojmë se duke bërë konsultime publike, duke mbledhur prokurorët e gjyqtarët nga dy orë, ky është proces që justifikon në vetvete se ka pasur konsultim publik. Asnjë prokuror sot nuk ka pasur kohë që për 2 orë t’ju japë opinion për 900 nene. E keni proces formal, jo thelbësor. Mungon kritika thelbësore për draftin. Së dyti kalojmë nga një Kod, nga 400 nene në një draft me 900 e ca nene. Bëj një pyetje, me këto nene paskemi jetuar në paligjshmëri? Duket se ka një problem në konceptimin e draftit dhe së treti teknika e dispozitave nuk është në lartësinë e duhur. Si ndryshohet? Do bëjmë një Kod të ri? Si prokuror futemi pas, sepse ka munguar përcaktimi i drejtë i metodologjisë se si do të ishte puna për përgatitjen e draftit. Të gjitha këto na çojnë në pamundësinë që të bëjmë një vështrim kritik mbi draftin mbi funksion përmirësimi. Ne nuk kemi as kapacitetet as kohën”, u shpreh ai.

Kriminaliteti

Po ashtu, gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela tregoi se ka një rritje shqetësuese të dhunës, krimeve me dashje kundër njerëzimit dhe vrasjeve me paramendim. Numri më i lartë i krimeve kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 %  e totalit, ndjekur më pas nga Korça, ndërsa numri më i ulët është në Dibër. “Sa i përket arsyeve të rritjes së numrit të procedimeve, është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ka ardhur nga një tendencë e rritjes së fenomeneve të dhunës në përgjithësi, apo nga një rritje e ndërgjegjësimit të viktimave si dhe e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë për të denoncuar rastet. 3.6 Një tendencë shqetësuese rritjeje është konstatuar tek krimet me dashje kundër jetës. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2024 është 14,7, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 10,5. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 %  e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %,  Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%,  ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %. Ka një rritje të ndjeshme të vrasjeve me dashje. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime kundër jetës të kryera me dashje” për vitin 2024 është 12,46 %, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,83 %. Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023. Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë”, tha ai.

Korrupsionin dhe pastrim i parave

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në raportimin vjetor në Komisionin e Ligjeve ka raportuar bilancet e procedimeve dhe arrestimeve lidhur me veprat penale të korrupsionit apo pastrimit të produkteve penale në nivele të larta. “Referuar të dhënave statistikore të vitit 2024, për grupveprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 569 procedime me 160 të pandehur dhe 157 procedime me 234 të pandehur janë dërguar për gjykim. Gjithashtu vihet re një rritje prej 4,84% të të pandehurve të dënuar për 2024, krahasuar me vitin 2023. Prokurorët kanë rritur rolin aktiv për veprat penale të korrupsionit dhe ato që lidhen me detyrën duke filluar kryesisht 19 procedime penale dhe në kryerjen e hetime proaktive, në 34 procedime penale. Ky proces ka çuar në arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 25 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm. Nga 61 referime/procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 39 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën”, shtoi ai. Për sa i përket hetime lidhur me “Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ai theksoi se për vitin 2024 janë regjistruar 185 verifikime pasusore. “Në zbatim të nenit 3/1 e vijues të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, në kuadrin e procedimeve/hetimeve pasurore, për vitin 2024 në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar 185 verifikime pasurore. Ndërkohë në kuadrin e hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas nenit 287 të Kodit Penal si dhe në zbatim të nenit 36 të Kodit Penal dhe neneve 274 dhe/ose 210, 190 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe në zbatim të ligjit nr. 10192/2009, pas kërkesave të prokurorëve gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive/aseteve kriminale në total, në kuadrin e 14 çështjeve dhe sekuestrime pasurie/asete kriminale në kuadrin e 35 çështjeve”, nënvizoi dje prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related