Deputeti britanik Andrew Rosindell kritikon Ramën: Të rinjtë shqiptarë po largohen nga vendi

Data

Deputeti britanik Andrew Rosindell ka reaguar me një postim në rrjetin social X, duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Britaninë e Madhe dhe duke ngritur shqetësimin për emigrimin e të rinjve shqiptarë.

Rosindell iu referua një deklarate të mëhershme të Ramës për pasojat e Brexit-it, duke theksuar se, ashtu si kryeministri shqiptar është i lirë të komentojë për Britaninë, edhe ai ka të drejtë të shprehë mendimin e tij për zhvillimet në Shqipëri.

Sipas deputetit britanik, gjatë një vizite në Tiranë vitin e kaluar ai ka biseduar me shumë të rinj shqiptarë, të cilët i kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi.

“Në vitin e kaluar fola me shumë të rinj shqiptarë në Tiranë, të cilët më thanë se donin të largoheshin nga vendi, gjë që do të bëhet edhe më e mundur me hyrjen e Shqipërisë në Shengen”, shkruan Rosindell.

Ai kujtoi gjithashtu se në vitin 2022 shtetasit shqiptarë përbënin grupin më të madh të emigrantëve që mbërritën në mënyrë të paligjshme me mjete lundruese të vogla në Mbretëria e Bashkuar, duke shtuar se çështja kryesore është arsyeja pse kaq shumë të rinj ndihen të detyruar të largohen nga vendi i tyre.

“Pyetja e vërtetë është pse kaq shumë të rinj shqiptarë ndienin se duhej të largoheshin nga vendi i tyre në radhë të parë. Do të marr leksione mbi sovranitetin nga populli britanik, jo nga një kryeministër i huaj. Brexit kishte të bënte me vetëqeverisjen demokratike dhe ky parim mbetet po aq i rëndësishëm sot sa kurrë më parë”, përfundon postimi i deputetit britanik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related