Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, ka treguar dhe arsyetimin që kanë përdorur dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleida Millonai, në ankimimin ku kërkonin rikthimin e “arrestit në shtëpi” ndaj tij.
Berisha tha se dy prokurorët pretendon se ai po sulmon SPAK-un dhe gjykatat dhe sipas dy magjistratëve në këtë mënyrë tremben dëshmimtarët. Lideri demokrat e konsideroi këtë si krim kushtetues.
Ai tha se janë pyetur 130 dëshmimtarë dhe sipas tij, kanë dëshmuar se nuk kanë marrë kurrë asnjë porosi, asnjë gjë të vetme nga Sali Berisha dhe se nuk kanë se për çfarë të tremben. Berisha shtoi se edhe vendimi i djeshëm do t’i shtohet dosjes për çështjen në Strasburg.
Berisha: Mësova më vonë dhe dua të ju konfirmoj se kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues. Se Skapistët, të tmerruar nga krimi i tyre, kanë kryer një krim tjetër, që ju e keni të vështirë të imagjinoni. Kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë sepse Sali Berisha po sulmon SPAK-un dhe gjykatën, Irenën dhe Dumanin.
Irenën me 5 mbiemra dhe Dumanin me 4 banesa, se 3 i ka të vetat, dhe një e ka me qira, qenka qiraxhi tek vjehrri. Prit se kjo është me e bukura, se po sulmon gjykatën dhe në këtë mënyrë tremben dëshmitarët, në një kohë kur 130 dëshmitarë të pyetur kanë dëshmuar se nuk kanë marrë kurrë asnjë porosi, asnjë gjë të vetme nga Sali Berisha, nuk kanë asnjë dëshmi kundër tyre, se çfarë do tremben ata që kanë thënë asnjë fjalë për Sali Berishën, këtë e dinë vetëm kriminelët elektoralë, kriminelët kushtetues të Skrapit të partisë.
