Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë gjatë këtij viti stërvitjen e parë të përbashkët trepalëshe ushtarake, në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s dhe objektivat euroatlantike. Lajmi u bë i ditur pas takimit trepalësh të shefave të mbrojtjes së tri vendeve, zhvilluar në Shqipëri.
Takimi u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, rritjes së ndërveprueshmërisë dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse sipas standardeve euroatlantike. Kosovën e përfaqësoi gjenerali Bashkim Jashari, Shqipërinë gjenerali Arben Kingji dhe Kroacinë gjenerali Tihomir Kundid.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit ushtarak dhe gatishmërisë operacionale në rajon.
Deklarata trepalëshe për mbrojtjen, e nënshkruar vitin e kaluar, parashikon bashkëpunim në katër fusha kryesore: zhvillimin e aftësive dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit dhe trajnimeve, adresimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen e integrimit euroatlantik.
Ndërsa Serbia e ka kritikuar këtë nismë, autoritetet e tri vendeve theksojnë se marrëveshja nuk është kundër askujt, por synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
