Në një vend ku çdo ditë qytetarët paguajnë taksa për një sistem shëndetësor të rrënuar, ku spitalet publike janë të varfra dhe pacientët detyrohen të blejnë edhe shiringën, qeveria vijon të derdhë miliona euro në disa nga koncesionet më të debatueshme në historinë e shtetit shqiptar: sterilizimi dhe dializa.
Këto kontrata, të nënshkruara me pompozitet në emër të “modernizimit të shërbimeve”, janë kthyer në gropa të zeza financiare që thithin çdo vit qindra milionë lekë nga buxheti i shtetit.
E ndërsa qytetarët përballen me mungesë mjekësh, pajisjesh e trajtimesh bazike, disa kompani private vazhdojnë të përfitojnë shuma marramendëse, nën mbrojtjen e kontratave afatgjata dhe klauzolave të errëta.
Kontrata që duhej të ishin shërbim publik, janë kthyer në mall privat
Sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale dhe dializa për pacientët kronikë janë shërbime jetike për sistemin shëndetësor. Por në Shqipëri, ato janë dhënë me koncesion për vite të tëra, duke u bërë monopole të pakontrolluara.
Çdo ndërhyrje kirurgjikale, çdo set instrumentesh të sterilizuara, çdo seancë dialize – ka një faturë të majme që paguhet nga buxheti publik, pavarësisht cilësisë së shërbimit apo realitetit në terren.
2026: fundi i kontratave apo fillimi i një tjetër mashtrimi?
Këto kontrata përfundojnë në vitin 2026. Por pyetja e madhe është:
A do të përfundojnë realisht, apo do të gjejmë një justifikim të ri për t’i zgjatur, siç ndodh gjithmonë?
Sepse në vend që të shohim transparencë, auditim, dhe përgjegjësi, qeveria vazhdon të fshehë detajet e pagesave, ndërsa fondet për laboratorët “rriten” vetëm në letër, pa asnjë pasqyrim real në përmirësimin e kushteve në spitale.
SPAK-u, në provë para historisë
Por më e rënda është heshtja e SPAK-ut.
Kur mijëra dosje për tendera të vegjël po hetohen, si është e mundur që askush nuk po prek miliarda lekë të shpërdoruara në këto koncesione?
Ku janë hetimet për mënyrën si u dhanë, për favorizimet, për mungesën e garës, për abuzimet me çmimet e pajisjeve dhe trajtimeve?
Nëse SPAK-u nuk ka guximin të hetojë korrupsionin që ndodh në dritë të diellit, atëherë ai rrezikon të kthehet në një fasadë drejtësie që mban në këmbë të njëjtën kastë që po varfëron çdo ditë shqiptarët.
Koha për përgjegjësi
Sot, më shumë se kurrë, nevojitet transparencë, hetim dhe ndëshkim. Nuk mund të ketë reformë në drejtësi pa drejtësi për fondet publike.
Nuk mund të ketë besim te shteti, kur qytetarët shohin krimin financiar në sistemin shëndetësor të mbrojtur nga pushteti dhe i shpërfillur nga drejtësia.
