3.4 ton kokainë në ngarkesë me banane drejt Belgjikës: Policia e Perusë godet kartelin ndërkombëtar

Data

Autoritetet peruane kanë sekuestruar 3.4 ton kokainë të fshehur brenda një ngarkese me banane, e cila kishte si destinacion Belgjikën. Operacioni i madh antidrogë, i zhvilluar në rajonin Piura në veri-perëndim të vendit, shënon një prej goditjeve më të fuqishme ndaj trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike gjatë këtij viti.

Ministria e Brendshme e Perusë deklaroi se policia parandaloi dërgimin jashtë vendit të 3.407 kilogramëve kokainë hidroklorike, sasi që ishte paketuar në më shumë se 3.000 pako dhe fshehur mjeshtërisht brenda kutive me banane organike të përgatitura për eksport.

Sipas kryetarit të përkohshëm të policisë, José Heri, droga vinte nga zona e njohur VRAEM — një ndër rajonet më të mëdha të kultivimit dhe përpunimit të kokës në Peru. Për të maskuar ngarkesën, trafikantët përdornin një depo ku bananet paketoheshin për tregjet europiane, vetëm 100 kilometra larg portit strategjik të Paita-s.

Gjatë operacionit të së mërkurës, forcat policore sekuestruan një kamion të mbushur me pakot e drogës, ndërsa hetimet u zgjeruan në të gjithë zinxhirin logjistik të trafikut. General Nilton Santos, kreu i shërbimit antidrogë, tha se goditja u realizua me ndihmën e Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA). Sipas tij, vlera e drogës së kapur në tregun ndërkombëtar llogaritet në më shumë se 68 milionë dollarë.

Presidenca e Perusë bëri të ditur se pas këtij trafiku qëndronte një organizatë kriminale e përbërë nga shtetas peruanë, kolumbianë dhe europianë, e cila synonte të transportonte kokainën drejt Belgjikës, një nga portet më të përdorura për shpërndarjen e drogës në gjithë kontinentin.

Peruja, së bashku me Kolumbinë dhe Bolivinë, mbetet një nga prodhuesit kryesorë të kokainës në botë, me rreth 400 tonë prodhim vjetor, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.

Operacioni i fundit konfirmon se rrugët e trafikimit drejt Europës mbeten aktive dhe të sofistikuara, ndërsa autoritetet ndërkombëtare po rrisin bashkëpunimin për të goditur kartelët që veprojnë në disa kontinente.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related