Policia Rrugore në Elbasan ka intensifikuar kontrollet në rrugë, duke përdorur dronë, radarë dhe pajisje inteligjente për të monitoruar shkeljet dhe për të rritur sigurinë rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, në fokus janë drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, veçanërisht ata që tejkalojnë shpejtësinë, përdorin celularin gjatë drejtimit apo qarkullojnë nën efektin e alkoolit.
Kontrollet po zhvillohen si në akset kryesore rrugore, ashtu edhe në zonat urbane, ku një problem i vazhdueshëm mbeten parkimet e gabuara dhe parkimet dyshe që pengojnë qarkullimin normal të mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Policia bën me dije se do të ndëshkohen gjithashtu edhe shkelje të tjera si mosvendosja e kaskës nga drejtuesit e mjeteve me dy rrota dhe mungesa e jelekëve reflektues.
Autoritetet theksojnë se këto masa synojnë të krijojnë një qarkullim më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë përdoruesit e rrugës, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të kontrollojnë gjobat në platformën e-Albania dhe t’i paguajnë ato brenda afateve ligjore.
Fushata e kontrolleve pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave të qarkullimit.
