Deputeti i Partia Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe infiltrimin e elementëve kriminalë në institucionet shtetërore.
Gjatë tryezës “Qeveria e Pasigurisë – Dështimi i Ramës dhe alternativa e opozitës”, Balliu deklaroi se kartelet shqiptare janë kthyer në ndër më të fuqishmet në botë dhe se ato pastrojnë paratë e drogës në Shqipëri, kryesisht përmes sektorit të ndërtimit dhe resorteve turistike.
“Raporti i antimafias italiane deklaron se kartelet shqiptare janë të vetmet kartele në botë që pastrojnë paratë e tyre në vendin e origjinës, sepse këta këtu kanë një siguri dhe ajo siguri është vetë Edi Rama”, u shpreh Balliu.
Sipas tij, ndikimi i krimit të organizuar ka depërtuar deri në Parlament dhe administratë.
“Nuk mund të ndodhte në asnjë vend të botës që përfaqësues të bandave të bëheshin deputetë”, deklaroi deputeti demokrat.
Balliu përmendi gjithashtu AKSHI, duke pretenduar se grupe kriminale kanë ndikuar në shpërndarjen e tenderëve publikë dhe kontratave shtetërore.
Ai deklaroi se pastrimi i parave ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen artificiale të çmimeve të apartamenteve në Tiranë, duke e krahasuar kryeqytetin shqiptar me Milanon për nivelin e çmimeve, ndërsa pagat mbeten shumë më të ulëta.
Sipas Balliut, edhe sektori turistik po përdoret për pastrim parash, duke përmendur investime të mëdha në resorte nga individë të rinj pa burime të deklaruara financiare.
Deputeti i PD-së kritikoi edhe rezultatet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar, duke deklaruar se shumë urdhërarreste të lidhura me dosjet SKY ECC mbeten ende të paekzekutuara.
Në fund, Balliu tha se opozita synon konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar dhe goditjen e rrjeteve të pastrimit të parave në Shqipëri.
