Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Klevis Balliu, ka reaguar pas arrestimit të shefit të Komisariatit të Policisë së Sarandës, Gëzim Bashllari, duke deklaruar se ngjarja është pjesë e një “lufte klanesh” brenda Policisë së Shtetit dhe qeverisë për kontroll territoresh.
Në një konferencë për mediat, Balliu pretendoi se Bashllari ishte emëruar në detyrë si “njeri besnik i partisë” nga Ilir Proda dhe se emërimi i tij në Sarandë nuk ishte rastësor.
Sipas tij, qyteti është një nga zonat ku pastrimi i parave të drogës dhe korrupsioni janë të dukshme, ndërsa zinxhiri i ndikimit, sipas opozitës, nis nga Kryeministri Edi Rama dhe shtrihet deri në strukturat e Policisë së Shtetit.
Balliu deklaroi se Bashllari është përdorur gjatë proceseve zgjedhore në favor të mazhorancës dhe e lidhi atë edhe me operacionin për arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, duke pretenduar se më pas ai është promovuar politikisht.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu drejtues të policisë dhe figura të lidhura me pushtetin për kontroll mbi komisariatet dhe territoret e interesit ekonomik, duke përmendur emra si Skënder Hitaj, Belinda Balluku dhe Oltion Bistri.
“Partia Demokratike dënon me forcë kriminalizimin e Policisë së Shtetit”, deklaroi Balliu, duke shtuar se struktura drejtuese e policisë, sipas tij, është mbushur me militantë politikë dhe persona të lidhur me krimin e organizuar.
Ai bëri thirrje për depolitizimin e policisë dhe forcimin e rolit të punonjësve me integritet në luftën kundër krimit.
