Bregdeti shqiptar vijon të jetë një pikë referimi për ndërtuesit, të cilët nuk po kursejnë as kryeqytetin, Tiranën. Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka shqyrtuar në mbledhjen e fundit një sërë lejesh zhvillimi e ndërtimi, ku bien në sy projektet e shumta për hotele e resorte kryesisht në zonën e Durrësit dhe në Jug të vendit. Po ashtu projekti Green Coast i Samir Manes në Palasë do të vijojë zgjerimin. KKT ka diskutuar në mbledhjen e fundit dhënien e Lejes së Ndërtimit për objektin: “Rezidencë banimi me 1 deri në 9 kate mbi tokë, 1 deri në 4 kate pjesërisht nëntokë dhe 1 kat nëntokë, Zona G17, Green Coast Resort 2, Palasë, Bashkia Himarë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k. Të tjera leje për Green Coast përfshijnë: -Leje Ndërtimi për objektin: “Green Coast Resort 2, Zona G16, Objekte banimi 1, 2, 3, 4, dhe 5 kate mbi tokë me 1 dhe 2 kate nëntokë, pishina dhe mur rrethues”, Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Seaside Hospitality” sh.p.k. -Leje Ndërtimi për objektin: “Green Coast Resort 2, Zona G3, objekt banimi dhe shërbime 1, 2, 3 dhe 4 kate mbitokë me 1, 2, 3 dhe 4 kat nëntokë”, Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqëritë “Seaside Residence II” sh.p.k dhe “Green Coast” sh.p.k. -Për miratimin e ndryshimeve të projektit gjatë ndërtimit për objektin: “Green Coast Hotel 1, 2, 3, 4, 5, 6 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Coast” sh.p.k.
Lejet e ndërtimit
Pas rritjes së turizmit vitet e fundit ka interes nga zhvilluesit për projekte jo vetëm në bregdet por edhe për turizëm mjekësor. Ky i fundit po nxit edhe ndërtimin e hoteleve në funksion të personave që vijnë në vend për kryerjen e shërbimeve dentare, estetike, mjekësore. KKT ka dhënë leje ndërtimi për objektin: “Godinë polifunksionale spitalore dhe hotelerie 16 kate mbi tokë me 3 kate parkim nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Terra Construction” sh.p.k. Një tjetër leje zhvillimi është dhënë për objektin: “Strukturë polifunksionale, shërbime, turizëm mjekësor dhe hoteleri”, me vendndodhje në Bashkinë Lushnje, me subjekt zhvillues shoqërinë “UPTC” sh.p.k. Në jug pritet që të vazhdojë ndërtimi i resorteve. Është dhënë Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë Hotelerie 4 kate mbitokë me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Globus Konstruksion” sh.p.k.
Një tjetër leje është për “Kompleks turistik, rezidencial, hoteleri dhe shërbime”, me vendndodhje në Gjilek, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë. “Orion” sh.p.k. Një “Strukturë hotelerie 1, 2, 3 dhe 4 kate mbitokë dhe 2 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Himarë, ka subjekt zhvillues Z. Aristidh Goro. Sipas Monitor, krahas resorteve në Jug do të vijojë dhe ndërtimi i strukturave rezidenciale. Është dhënë leje Ndërtimi për objektin: “Dyeus Residence dhe Suits 1, 2, 3 dhe 4 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, me pishinë dhe mur rrethues, me vendndodhje në Dhërmi, Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Artech Group” sh.p.k. Leje janë dhënë dhe në bregdetin e Durrësit, si “Hotel”, me vendndodhje në Rrugën“Bregu i Detit”, në Gjirin e Lalzit, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Emav Group” sh.p.k. Disa leje të tjera janë dhënë për agroturizëm.
Kulla të reja në Tiranë
Po ashtu vala e ndërtimeve në Tiranë pritet të marrë sërish vrull në periudhën në vijim, pavarësisht se kërkesa po shfaq tendenca ngadalësimi dhe shumë ekspertë të pasurive të paluajtshme thonë se tregu po arrin mbingopjen. Pak ditë më parë Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar dhënien e lejeve për disa projekte shumëkatëshe, ndërsa një formë e re partneriteti mes qeverisë dhe privatit pritet ti japë mundësinë këtij të fundit të ndërtojë projekte të mëdha në pronat publike. Janë të paktën 8 projekte zhvillimore, që parashikojnë ngritjen e kullave që do të kenë deri në 65 kate dhe një tjetër projekt 100 kate, i prezantuar së fundmi, por që nuk e ka marrë akoma lejen e zhvillimit. Nga lejet e KKT-së, me më kryesorja është ajo në Bulevardin e Ri që lë pas projektin “Mount Tirana” që është deri më tani projekti me lartësinë më të madhe, me 58 kate.
