Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar në Greqi, ku një 17-vjeçar është sulmuar dhe rrahur brutalisht nga katër persona të maskuar.
Sipas autoriteteve, i mituri ndodhej në një dyqan së bashku me miqtë e tij, kur autorët, të veshur me kapuça, hynë në ambient dhe e nxorën me forcë jashtë. Më pas, ata e goditën pa ndërprerje, duke i shkaktuar plagë në pjesën e kokës dhe trupit. Dyshohet se njëri prej agresorëve e ka kërcënuar 17-vjeçarin edhe me thikë.
Pas sulmit, i mituri u transportua me urgjencë në spital, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia greke ka identifikuar njërin nga autorët e dyshuar, një i ri me origjinë shqiptare, i cili është shpallur në kërkim. Sipas burimeve zyrtare, ai ka qenë më herët problematik për autoritetet ligjzbatuese.
Hetimet po vijojnë nga Departamenti i Policisë së Aitolikos për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Ndaj autorëve janë ngritur akuza për shkelje të ligjit për armët, kërcënime dhe shkaktim të lëndimeve trupore ndaj një të mituri.
