Pas një hetimi 2-vjeçar për situatën e ndotjes në zonën e Patos- Marinzës, zyra e Avokatit të Popullit fajëson shoqërinë “Albpetrol” për ndotjen mjedisore si dhe kërcënimin e shëndetit të banorëve, ndërsa kërkon hetime penale për institucionet.
uset e naftës së shoqërisë shtetërore “Albetrol” në zonën e Patos-Marinzës në Fier prej vitesh përbëjnë një rrezik serioz për shkatërrimin e mjedisit, tokës bujqësore dhe ujërave, si dhe shëndetin e banorëve të zonës, ndërsa autoritetet shtetërore dështuan në marrjen e masave dhe toleruan paligjshmërinë dhe ndotjen – thekson raporti i një hetimi 2-vjeçar të kryer nga Avokati i Popullit.
Dokumenti me titull “Rekomandim për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit nga ndotja e hidrokarbureve në zonën e Patos Marinëz dhe qytetet përreth” i Avokatit të Popullit i drejtohet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Prokurorisë së Fierit dhe bashkive të këtij qarku.
Avokati i Popullit sugjeron gjithashtu nisjen e një hetimi penal për përgjegjësit e ndotjes si dhe ndërhyrje urgjente për mbrojtjen mjedisore.
Dokumenti që BIRN e disponon e përshkruan situatën e ndotjes në nivele alarmante dhe drejt përkeqësimit, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, ndërsa fajëson autoritetet përgjegjëse për monitorimin e aktivitetetit të kësaj shoqërie për mosmarrjen e masave ligjore dhe tolerimin e paligjshmërisë për një kohë të gjatë.
