Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi dhe familja e tij janë kërcënuar. Lajmin e ka zbuluar eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço. Ky i fundit teksa ka folur lidhur me dosjen “CEZ-DIA” në një studio televizive, theksoi se prokurori që ka dosjen e ish-presidentit Ilir Meta, është kërcënuar personalisht, por edhe familjarisht. Sipas tij, është e vërtetë që ritmi i hetimit nuk ka qenë shumë i shpejtë, por mund të vlerësohet pasi është një hetim shumë i detajuar. “Për Metën ka qenë një çështje e nisur me kallëzim. Çështjen e ka një prokuror akoma më korrekt për ligjin, i padepërtueshëm, siç është zoti Kllapi. Indirekte është kërcënuar ai dhe familja e tij. I janë parë ilegalisht dosjet e punës, vetingu. Çfarë s’kanë bërë, por nuk kanë arritur ta intimidojnë. Hetimi do shoqërohet me masa të caktuar personale. Kemi një familje që mund të arrestohet, burrë dhe grua. Ato po hetohen për një seri çështjesh. Nuk ka politikë penale që të falë njërin dhe të dënoj tjetrin. Kemi precedentin Ahmetaj. Nuk do të falet askush. Nëse ka prova do shkojnë në burg. Meta sulmon Dumanin sepse është drejtues i SPAK. Meta e di shumë mirë kush po ja kopsit dosjet. S’ka fare lidhje Dumani, por është Sotir Kllapi prokurori i Metës, i cili për disa çështje është shumë më lart se Dumani”, deklaroi ai.
Afera “CEZ-DIA”
Më tej eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka deklaruar se hetimet “CEZ-DIA” për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta janë shtrirë në Çeki, Maltë dhe Qipro. Duke folur për dosjen ÇEZ-DIA, Karamuço theksoi se janë thirrur persona konkretë për t’u pyetur për këtë çështje, të cilët janë intervistuar për lëvizjet, udhëtimet, drekat, darkat si dhe lobimin e kryer në këtë rast. Sipas Karamuços, Çekia është duke bashkëpunuar ngushtë me SPAK-un për dosjen ÇEZ-DIA dhe këto hetime shkojnë në Maltë e deri në Qipro, ku po vrojtohen transfertat e parave që janë kryer. “Nga të gjitha informacionet që vijnë në rrugë jo zyrtare bëhet fjalë ashtu e kanë përmendur edhe kolegë të tjerë që jemi në përfundim të hetimeve sidomos për ÇEZ-DIA. Janë thirrur personat konkretë të cilët janë pyetur për TIMS-in, udhëtimet, drekat, darkat, fjetjet, lobimin dhe kë ka takuar dhe sa ka ndenjur. Di që ka pasur një bashkëpunim të ngushtë të Republikës Çeke ndaj organeve ligjzbatuese që kanë sjellë një mal me informacione në lidhje me çfarë është lobuar dhe çfarë parash janë lëvizur dhe çfarë transfertash janë kryer. Kjo paralelisht me disa vende të tjera të rajonit si dhe të Mesdheut, përfshirë këtu edhe Maltën, edhe Qipron. Po hetohet kush ka qenë bashkë me delegacionet që kanë vajtur dhe ku kanë vajtur paratë. Pra po bëhet një hetim i gjithanshëm jo vetëm për veprimet konkrete por edhe transfertat e dyshimta për të cilat po hetohet nga ana e SPAK-ut”, nënvizoi Karamuço.
Paratë e pista
Por përveç aferës “CEZ-DIA”, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është në ankthin e prangave për pastrim parash. Letër-porositë e tjera të dërguara nga SPAK drejt vendeve të huaja duket se po e mbajnë nën ankth ish-presidentin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë përgjigjur së fundmi një letërporosie të përcjellë vitin e kaluar nga SPAK sa i takon dosjes së lobimit. Dokumenti amerikan detyroi të gjithë kupolën e LSI që të zbarkojë një nga një në dyert e SPAK. Ndërkohë Meta është ende në ankth, pasi të tjera prova tronditëse pritet të vijnë për strukturën-antikorrupsion. Sikundër e ka cituar më sipër edhe eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, SPAK pret përgjigje nga Qipro, Austria dhe San Marino të cilat duhet të japin përgjigje për ndërhyrjet estetike disa milionëshe të denoncuara nga avokati Idajet Beqiri për familjen Meta. Janë bashkuar disa kallëzime për Ilir Metën dhe të gjitha për pastrim parash që po hetohen nga prokurori Sotir Kllapi. Pra ky i fundit ka shtrirë hetimet në disa vende si në Qipro, Austri, Itali dhe në San Marino dhe të gjitha shërbejnë për të “qepur” mirë dosjen e Metës. Si do që të jetë vendimmarrja, Sotir Kllapi do të jetë në qendër të vëmendjes dhe një nga njerëzit që do të lakohen më shumë gjatë kësaj kohe dhe në vijim.
Ja kush është Sotir Kllapi
Po kush është Sotir Kllapi, njeriu që ka në dorë mundësinë historike për t’i dhënë goditjen e parë serioze korrupsionit në nivelet e larta dhe kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri?! Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit. Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Pogradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016. Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.
Trajnimet në SHBA dhe BE
Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE. Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Edhe pse është pjesë e organit të akuzës prej 13 vitesh, Sotir Kllapi nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, të paktën deri në vitin 2018. Prokurori rezulton se ka jetuar me qira në Qytetin Studenti, duke lidhur një kontratë qiraje me Rezidencën Studentore Universitare Tiranë. Megjithatë mbetet për t’u parë se çfarë zgjidhje do t’i japë dy dosjeve të Ilir Metës, e cila mund të jetë edhe dosja që do të shënjojë karrierën e tij. Zhvillimet do të jenë përvëluese duke patur parasysh dhe sinjalet që vijnë nga kreu i PL, ku sapo SPAK njofton goditje, apo thellon hetimet, Ilir Meta lë çdo gjë që ka në dorë dhe shfaqet me urgjencë konferencave për shtyp për të nisur presionet ndaj drejtësisë.
