Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, i është përgjigjur sot në Kuvend akuzave të deputetes demokrate Jorida Tabaku për bllokimin e procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Në nisje të seancës plenare, Peleshi theksoi se mazhoranca është e gatshme të vijojë traditën e konsensusit për këtë post dhe nuk ka kundërshtim për asnjë emër të propozuar nga opozita, përfshirë kandidatin Besim Ndregjoni.
“Siç e kam thënë në Konferencën e Kryetarëve, ne jemi të hapur të diskutojmë mbi propozimet tuaja. Nuk jemi kundër asnjë emri. Kam kërkuar nga kryetari i grupit të PD që të vijojmë dialogun mbi këtë çështje,” tha Peleshi.
