Këlliçi pas denoncimit të Koçekut: Kërcënimet ndaj deputetes duhen hetuar, largimi i Ramës është emergjencë kombëtare

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratës së deputetes Marjana Koçeku, e cila pretendoi publikisht se familja e saj është kërcënuar nga grupi kriminal i Bajrave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi u shpreh se pretendimet e deputetes duhen marrë seriozisht dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për zbardhjen e rastit.

Sipas deputetit demokrat, fakti që Koçeku vendosi të largohej nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe më pas deklaroi publikisht se po përballet me kërcënime, e bën situatën edhe më shqetësuese.

“Nuk ka ende një reagim institucional, por gjithçka duket e besueshme kur dimë se shtabi i vërtetë elektoral i Edi Ramës në Shkodër janë pikërisht Bajrat”, shkruan Këlliçi.

Ai shton se deputetja ka qenë objekt i sulmeve politike dhe presioneve publike që prej momentit kur njoftoi largimin nga grupi parlamentar socialist.

“Koçeku prej dy ditësh është nën një trysni dhe sulm të vazhdueshëm nga panelistët, skifterët politikë dhe patronazhistët e Edi Ramës për aktin që ndërmori”, thekson ai.

Këlliçi i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin menjëherë verifikimet dhe hetimet për rastin, duke e konsideruar të papranueshme mungesën e një reagimi institucional ndaj një deklarate publike të një deputeteje të Kuvendit.

“Deputetja e Kuvendit ka ngritur publikisht një akuzë. Institucionet nuk mund të presin një procedurë formale kur kemi të bëjmë me pretendime kaq të rënda”, shprehet deputeti demokrat.

Në fund të reagimit të tij, Këlliçi e lidhi situatën me zhvillimet politike në vend, duke akuzuar qeverinë për lidhje me elementë kriminalë dhe duke deklaruar se largimi i kryeministrit Edi Rama është kthyer në një domosdoshmëri politike.

“Ky zhvillim tregon edhe një herë të vërtetën e zgjedhjeve dhe mënyrën se si funksionon pushteti sot. Largimi i Edi Ramës është jo vetëm kërkesë e qytetarëve, por një emergjencë kombëtare”, përfundon reagimi i tij.

Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo Prokuroria lidhur me pretendimet e deputetes Marjana Koçeku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related