Analisti Edvin Kulluri ka deklaruar se në Shqipëri po krijohet një klimë ku shkelja e ligjit jo vetëm tolerohet, por edhe “inspirohet”.
Gjatë një interviste televizive, ai komentoi aksionet ndaj Call Center-ave në Tiranë, duke theksuar se institucionet publike shpesh pengohen të ushtrojnë detyrat e tyre për shkak të presionit politik. Sipas tij, fenomeni godet më shumë nivelet e ulëta, ndërsa rastet më të mëdha mbeten të paprekura.
Kulluri solli në vëmendje edhe çështjen e Belinda Balluku, duke theksuar se një person i dyshuar për korrupsion nga prokuroria po mbrohet nga qeveria. Ai e cilësoi këtë si një tregues të qartë të lidhjes mes politikës dhe interesave të tjera.
“Po kapen ata që janë më të vegjël, ndërkohë që ka peshq shumë më të mëdhenj. Kur politika lidhet me krimin, nuk ia lë pjesën kryesore krimit ordiner,” u shpreh ai.
Sipas Kullurit, kjo situatë tregon se në vend po krijohet një standard i dyfishtë në zbatimin e ligjit, duke dëmtuar besimin te institucionet dhe duke favorizuar pandëshkueshmërinë në nivelet më të larta.
