Katari ka ndërmarrë një hap të fortë diplomatik ndaj Iranit pas sulmit me raketa ndaj zonës industriale të Ras Laffan, duke shpallur “persona non grata” atasheun ushtarak dhe atasheun e sigurisë të ambasadës iraniane në Doha, si edhe stafin e tyre, me urdhër për t’u larguar brenda 24 orëve. Vendimi u njoftua nga Ministria e Jashtme e Katarit.
Doha e cilësoi sulmin iranian një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe deklaroi se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur në përputhje me Nenin 51 të Kartës së OKB-së dhe të drejtën e vetëmbrojtjes. Katari tha gjithashtu se nuk do të hezitojë të marrë masa për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe banorët e tij.
Sipas autoriteteve dhe raportimeve mediatike, objektivi i goditjes ishte Ras Laffan, një nyje kyçe për sektorin energjetik të Katarit. Al Jazeera raportoi se sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në impiantin energjetik, ndërsa Katari e lidhi vendimin diplomatik pikërisht me këto goditje.
Ky veprim shihet si përpjekje për të shmangur përfshirjen më të thellë në luftë, por njëkohësisht për të dhënë sinjal se Doha nuk do të tolerojë më goditje mbi territorin dhe infrastrukturën e saj kritike. Deri tani, ambasadori iranian nuk rezulton i dëbuar, por masa ndaj përfaqësuesve të mbrojtjes tregon një ftohje të fortë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
