Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Korçë, Ivi Kaso, në një deklaratë për mediat, ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi i votimit të diasporës, duke vënë theksin te parregullsitë e konstatuara në Greqi.
Ai theksoi se ndryshe nga vendet e tjera ku procesi ecën normalisht dhe shpërndarja e zarfeve po kryhet në mënyrë të rregullt përmes rrjetit të DHL, në Greqi situata është përkeqësuar për shkak të kontraktimit të pikave të basteve dhe lojërave të fatit për shpërndarjen e zarfeve të votimit.
Sipas Kasos, ky degradim i procesit bie ndesh me garancitë që parashikon rregullorja dhe udhëzimet përkatëse, të cilat kërkojnë që vota t’i dorëzohet vetëm shtetasit përkatës, përmes kontaktimit të drejtpërdrejtë dhe disa përpjekjeve për ta gjetur.
Ai paralajmëroi se dhënia e zarfeve personave të tretë, që pretendojnë se njohin përfituesin e votës, rrezikon të manipulojë rezultatin dhe dëmton besueshmërinë e procesit.
“I bashkohem dhe unë falënderimit të drejtueses politike të diasporës për çdo shqiptar në diasporë që ka zgjedhur që me votën e tij të bëjë ndryshimin. Ka një masivitet të bashkëatdhetarëve tanë që me përkushtimin e tyre gjejnë kohën për atë që ne e kemi quajtur shpëtimi i këtij vendi, duke bërë ndryshimin me votë në datën 11 maj dhe ta shpëtojnë atë detyrim me shprehjen e vullnetit të tyre.
