Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosi dje që të martën e ardhshme të hapen 94 kuti votimi në Gramsh dhe Peqin, pas akuzave të Partisë Demokratike për manipulime dhe “tren bullgar”. Materialet filmike tregojnë fletë votimi që qarkullojnë jashtë qendrave dhe veprime të dyshimta me vula në një dyqan. Vendimi është preludi i një vale rinumërimesh që do përfshijë më pas Qarkun e Tiranës, ku deputetët e zgjedhur më 11 majit janë në ethe për fatin e mandateve të tyre. Mbledhja e KAS dje u dominua nga tensione të forta, me përplasje të hapura mes përfaqësuesve të PD dhe Ilir Rusmalit. Në sfond shpërtheu edhe debati për votën e diasporës dhe shpjegimet e KQZ për “kursimin” e 2 milionë eurove nga kontrata me DHL. Pas Tiranës, rinumërimi do zbresë në Fier dhe në fund në Durrës, ku do hapen 275 kuti, duke rihapur garën parlamentare në disa qarqe.
Detajet
Konkretisht të martën, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të hapen kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore për 94 qendra në Bashkitë Gramsh dhe Peqin. Vendimi edhe këtë herë u mor nga dy anëtarët e KAS që janë propozuar nga PD, dhe ka për qëllim që të krahasohen fletët e votimit që janë në kuti, me materialet zgjedhore. Kjo pasi PD, ka paraqitur disa video ku pretendohet tren bullgar, apo votim abuziv. Siç ishte rasti i disa fletëve në një lokal, që u pretenduan si fletë reale që kanë dalë jashtë qendrës së votimit, ose rasti tjetër i një qendre votimi vendosur në një dyqan rural, ku një i ri duket që kryen veprime të dyshimta me vulat e votimit në prani të komisionerëve të të gjitha palëve. Krahasimi i të dhënave mes kutisë së votave dhe kutisë së materialeve zgjedhore mund të provojë nëse ka më shumë vota sesa zgjedhës të paraqitur në qendrën e votimit.
