Ann Bratton nga Shtetet e Bashkuara mendoi se kishte gjetur një aksion, ku do të investonte gjashtë mijë dollarë dhe do të fitonte katër milionë.
Nuk e kishte idenë se pas reklamës për blerjen e “kartelave të Trumpit”, që e bëri të humbiste mijëra dollarë, qëndronte një grup njerëzish nga qyteti Veles në Maqedoninë e Veriut.
Grupi, prej kohësh, kishte fituar një reputacion famëkeq, duke përdorur emrin e ish-presidentit amerikan.
Sigurohuni të na shkruani për t’ju dhënë udhëzime specifike se si t’i mashtroni amerikanët”, thotë një mesazh në gjuhën maqedonase në një kanal të mbyllur të Telegramit, i cili mund të hapet vetëm me miratimin e administratorëve.
Në mesin e tyre janë shitësit e Velesit.
Pas disa muajsh hulumtime dhe infiltrimi në grupe të mbyllura në platformën Telegram, Radio Evropa e Lirë identifikoi 69 individë që krijuan oferta mashtruese për shitjen e kartelave të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Gazetarët gjetën edhe 88 ueb-faqe aktive në kohën e shkrimit të hulumtimit, përmes të cilave ofrohen produkte për “patriotët amerikanë”.
Numri i shitësve që komunikojnë me klientët, mund të jetë shumë më i lartë, sepse disa kanale të mbyllura në Telegram kanë mesatarisht nga rreth 300 anëtarë.
Radio Evropa e Lirë i dërgoi disa emaile shërbimit për media të fushatës së Donald Trumpit, për ta pyetur nëse është në dijeni për ngjarjet që lidhen me shitjen e kartelave të pavlera dhe nëse planifikon të ndërmarrë diçka në këtë drejtim. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Velesi – me pak më shumë se 45.000 banorë – u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016, kur mediat botërore zbuluan se në këtë qytet ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, të cilat përhapnin lajme të rreme dhe favorizonin politikën e Trumpit.

Ueb-faqet transmetonin përmbajtje nga blogjet ultra-konservatore dhe e reklamonin atë përmes Facebookut, duke gjeneruar miliona shikime në muaj.
Si funksionon skema e re?
Ann Bratton, bashkëbiseduesja në fillim të këtij artikulli, kaloi përmes skemës së re të krijuar në Maqedoninë e Veriut.
Kjo pensioniste 86-vjeçare, nga periferia e Nashvilles në shtetin federal amerikan të Tenesit, u interesua për një reklamë që kishte parë në Telegram, e që informonte për shitjen e një kartele debiti me imazhin e ish-presidentit amerikan, Trump.
Sipas tekstit të shkruar në reklamë, secila kartelë kishte të parapaguar 200.000 dollarë.
Bratton i tha REL-it se bleu njëzet kartela të tilla, duke i paguar gjithsej 6.000 dollarë.
Duke vepruar kështu, mendoi se po siguronte një investim për familjen e saj, nga i cili, përfundimisht, do të merrte katër milionë dollarë.

Ajo nuk e kishte idenë se i gjithë rrjeti pas kësaj reklame, u krijua 8.000 kilometra larg, përtej oqeanit, në Maqedoninë e Veriut.
Matrica, në shikim të parë, duket e thjeshtë. Ajo që u thuhet qytetarëve amerikanë, është se prodhimet e blera sot me imazhin e Donald Trumpit, do të vlejnë miliona dollarë pas rikthimit në pushtet të presidentit të 45-të amerikan.
Në shitje ka kartela, monedha, afishe, pulla dhe produkte të ngjashme, që janë krejtësisht të pavlera. Të gjitha përcillen me premtimin se pas rikthimit të Trumpit në krye të SHBA-së, ato do të jenë para në qarkullim.
Pretendimet për kthimin e shpejtë financiar të parave të investuara, shpërndahen përmes kanaleve të ndryshme në internet – më së shpeshti tek ata që mbështesin ish-presidentin amerikan.
Tash për tash, nuk ka asnjë reagim nga autoritetet përgjegjëse as në SHBA, as në Maqedoninë e Veriut, ndaj faktit se qytetarët amerikanë po mashtrohen, ndërkohë që në llogaritë e shtetit të vogël evropian derdhen miliona dollarë.
Shpikja e një “sistemi të ri monetar”
“Unë i besoj presidentit Trump dhe mendoj se është i sinqertë. Besoja se po investoja në të ardhmen”, kujton Ann Bratton arsyet përse, shtatë vjet më parë, filloi të blinte suvenire të ndryshme përmes Telegramit.
Tani, ajo ka kartëmonedha me imazhin e Trumpit në to, monedha, kartela dhe, siç thotë, shumë produkte të tjera të ndryshme.
Ajo tregon se i bleu të gjitha përmes kanaleve të ndryshme që ndjek në Telegram. “Nuk më kujtohet se ku u reklamuan të gjitha”, thotë ajo.
Edhe në vitin 2016, në kanalet në Telegram u shfaqën reklama për koleksione të ndryshme, të tilla si “monedha Trump” ose “dollarë Trump”.
Sipas pretendimeve që i përcillnin, monedhat, kartëmonedhat ose kartelat do të bëheshin mjet i ligjshëm pagese në “sistemin e ardhshëm monetar të Trumpit”.
Mekanizmi u quajt TRB (Trump Rebate Banking system). Mekanizëm i mashtrimit në vitin 2022, sipas gazetës New York Times, ishte shitja e “monedhave Trump”, që kushtonin dhjetë dollarë për copë.
Për reklama u përdorën imazhe të rreme të të famshmëve, që u bënin thirrje njerëzve të investojnë sa më shpejt që është e mundur, sepse “paratë e vërteta do të zhdukeshin së shpejti”.
Në mes të vitit të kaluar, rrjeti amerikan NBC News zbuloi se tri kompani me bazë në shtetin e Kolorados, qëndronin pas këtij operacioni marketingu, dhe solli përvoja të një numri të madh viktimash.
Kur bëhet fjalë për mekanizmin e ri të analizuar nga REL-i, i cili funksionon muajve të fundit, nuk ekziston ndonjë kompani që organizon gjithçka, por sistemi bazohet kryesisht në rrjetëzimin e shitësve përmes platformave të ndryshme online.
Komunikimi bëhet përmes kanaleve të mbyllura në Telegram, ndërsa tregtarët virtualë i shpërndajnë reklamat false në kanalet e Telegramit që janë të hapura për publikun, e në të cilat shpërndahen edhe lajme me interes për anëtarët e audiencës konservatore amerikane.
