Kreu i demokratëve, Sali Berisha në protestë u shpreh se Edi Rama pa tek flakët e karrigeve të parlamentit, zjarrin e ligjit që do i djegë sarajet e Surrelit.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë juve, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare e misionarë të kauzës së drejtë të qytetarëve shqiptarë.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të platformës së fjalës së lirë që përcjellin çdo natë të vërtetat në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.
Të dashur miq, të dashur qytetare dhe qytetarë, 7 tetori po afron si dita e fuqisë së sovranit, si dita e guximit të forcave demokratike, si dita e betejës kundër mafies shqiptare më të rrezikshme në rajon dhe në Europë me në krye Edi Ramën, si dita e shpresës së madhe të shqiptarëve, si dita e shpirtit të pamposhtur të këtij kombi që do të faktojë me 7 tetor se ai nuk pranon kurrë regjimin e drogës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë që të votojnë të lirë si qytetarë europianë.
Dita e 7 tetorit është dita në të cilën çdo shqiptar ka rastin të ngrihet në lartësinë e qytetarëve të Parisit, Londrës, Athinës, Berlinit, kundër padrejtësive dhe për votën e lirë.
Revolta popullore kur shkelmohet vota është legjitime.
Është morale.
