Vendimi i pritshëm i Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku po ngjall debate edhe mes ekspertëve të drejtësisë, të cilët paralajmërojnë për pasoja të mundshme në hetimet e ardhshme ndaj zyrtarëve të lartë.
Pas një zvarritjeje prej afro tre muajsh, Kuvendi pritet të votojë mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Balluku, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.
Megjithatë, votimi pritet të jetë formal, pasi Partia Socialiste ka deklaruar publikisht se do të votojë kundër autorizimit për arrestimin e saj. Socialistët kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar kërkesën e SPAK.
Juristët e intervistuar nga BIRN e konsiderojnë këtë qëndrim si një mbrojtje politike që mund të krijojë precedent për raste të tjera në të ardhmen, kur hetimet e SPAK të përfshijnë ministra apo deputetë.
Pedagogia e së drejtës penale në Universitetin e Tiranës, Lirime Çukaj, thekson se hetimi ndaj Ballukut mund të vazhdojë edhe pa autorizimin për arrest, por ekziston rreziku që hetimi në gjendje të lirë të ndikojë në sigurimin e provave.
Sipas saj, nëse personi nën hetim ka mundësi të kontaktojë dëshmitarët apo të ndikojë në deklarimet e tyre, kjo mund të dëmtojë procedimin penal.
Edhe avokati Eugen Beçi paralajmëron se refuzimi i kërkesës së SPAK nga Kuvendi mund të ndikojë realisht në ecurinë e hetimeve, duke krijuar përshtypjen se shumica parlamentare mund të shndërrohet në një filtër politik për hetimet ndaj funksionarëve të lartë.
Ndërsa avokati Florian Bonjaku thekson se edhe pse mandati i deputetit nuk pengon hetimet, refuzimi i autorizimit për arrest mund të krijojë rrezik për prishjen ose manipulimin e provave.
Sipas tij, vendimi për Ballukun do të ndikojë në përballjet e ardhshme mes Prokurorisë së Posaçme dhe pushtetit politik, duke dhënë një sinjal të fortë për mënyrën se si do të trajtohen në të ardhmen kërkesat për heqjen e imunitetit të deputetëve.
