Francë/ Mbi 1 mijë makina të djegura në natën e Vitit të Ri, mbi 500 persona të ndaluar

Data

Franca ka përjetuar një natë të tensionuar gjatë festimeve të Vitit të Ri, ku më shumë se 1,000 automjete u dogjën dhe qindra persona u ndaluan nga policia, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

Autoritetet bëjnë me dije se gjithsej 505 persona u shoqëruan, ndërsa në 403 raste shoqërimet u kthyen në arrestime dhe paraburgim. Megjithëse numri i makinave të djegura u rrit ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, ministria e cilësoi situatën si “më të qetë” se nata e ndërrimit të viteve 2024–2025, duke theksuar se trazirat urbane ishin më të kufizuara.

Sipas statistikave zyrtare, këtë Vit të Ri u dogjën 1,173 automjete, krahasuar me 984 në natën e Vitit të Ri 2025. Megjithatë, numri i arrestimeve mbetet i ngjashëm me vitin e kaluar, kur u regjistruan 420 ndalime dhe 310 arrestime e paraburgime.

Autoritetet raportuan gjithashtu se incidentet ndaj forcave të rendit ishin më të pakta dhe më pak të rënda. Megjithatë, në disa qytete si Nisa, Lioni, Strasburgu dhe Rennes, policia u përball me sulme me fishekzjarrë dhe mjete piroteknike.

Gjatë natës së ndërrimit të viteve, rreth 90 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie u angazhuan në të gjithë vendin, përfshirë rreth 10 mijë në Paris dhe zonat përreth. Vetëm në kryeqytet, u ndaluan 125 persona të moshave nga 17 deri në 53 vjeç, për vepra që përfshijnë dhunë, dëmtime prone, grumbullime me qëllim trazira, si dhe posedim dhe përdorim droge.

Autoritetet franceze vijojnë hetimet për incidentet e regjistruara, ndërsa kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie për periudhën në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related