Për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes së murtajës tek dhentë, Agjencia e Shërbimit Veterinar ka ndërmarrë disa aksione ndërgjegjësuese me fermerë në zonat rurale.
“Prej 4 ditësh kemi nisur takimet me fermerët në bashkëpunim me pushtetin vendor. Këto takime po zhvillohen me kryetarët e njësive administrative dhe kryepleqtë e fshatrave. Thelbi është sensibilizimi i të gjithë fermerëve për rëndësinë e kufizimit të përhapjes së kësaj sëmundje. Për momentin, e vetmja zgjidhje është bllokimi i lëvizjes së kafshëve dhe fermerët duhet ta kenë të qartë, pasi duhet të mbahen të izoluara në fermë dhe të shmangin kontaktet me fermat e tjera. Ndalohet rreptësisht edhe futja e kafshëve të reja në fermë, po ashtu edhe dalja e tyre. Deri tani kemi gjetur mirëkuptimin e fermerëve. Vështirësitë në ferma janë të mëdha sepse kufizimi sjell probleme edhe në gjetjen e ushqimit”,-tha Andi Bilali, Drejtor i Agjencisë Rajonale e Shërbimit Veterinar Shkodër.
