“Jam shpallur armik publik”, Açka godet fort: PD nuk ringrihet me ata që e shkatërruan

Data

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka shprehur skepticizëm të fortë ndaj përpjekjeve për bashkimin e opozitës, duke theksuar se kriza e thellë që ka kapluar PD-në nuk mund të zgjidhet pa një ndryshim rrënjësor të brendshëm.

Në një intervistë televizive, Açka komentoi takimin e fundit mes drejtuesve të PD-së, aleatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, duke e cilësuar si një nismë pozitive në pamje të parë, por të dështuar në thelb. Sipas saj, problemi qëndron në faktin se një pjesë e atyre që u ulën në tryezë janë vetë përgjegjës për gjendjen ku ndodhet sot opozita.

Açka u shpreh se opozitarizmi shqiptar, veçanërisht ai brenda PD-së, vijon të mbetet në të njëjtën “ligatinë politike”, pa arritur të prodhojë frymëzim dhe shpresë te elektorati. Ajo theksoi se pa një “transfuzion politik”, pa hapje ndaj zërave kritikë dhe pa largimin e figurave që kanë konsumuar besimin publik, Partia Demokratike nuk mund të rikthehet si alternativë serioze qeverisëse.

Sipas saj, takimi u përdor më shumë si një moment për të riafirmuar lidershipin aktual, sesa për të hapur një debat real mbi reformimin e opozitës. Megjithatë, Açka vlerësoi qëndrimet e disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët artikuluan hapur zhgënjimin dhe mungesën e shpresës që, sipas tyre, prodhon sot PD-ja.

Ajo zbuloi gjithashtu se nuk kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në takim, duke theksuar se është shpallur “armik publik” brenda partisë, vetëm sepse ka kërkuar një opozitë të fortë dhe funksionale. Sipas Açkës, kjo tregon se problemi i PD-së nuk është vetëm jashtë saj, por thellësisht brenda strukturave dhe mendësisë që e drejtojnë.

Në përfundim, Flutura Açka theksoi se nuk mund të kërkohen zgjidhje nga të njëjtët njerëz që kanë krijuar krizën. Pa një ndryshim rrënjësor, opozita – sipas saj – do të vazhdojë të mbetet në vendnumëro, e paaftë për të përfaqësuar realisht interesat e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related