Konferenca e Sigurisë në Mynih, që u zhvillua këtë fundjavë, u shndërrua në një arenë të fortë tensioni për Edi Ramën, i cili tentoi me çdo mënyrë të sigurojë një takim me zv/Presidentin e SHBA, JD Vance. Kryeministri shqiptar ishte vënë në lëvizje me urgjencë për të përfituar nga ky event dhe për të ndërtuar një imazh të ri për veten në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur arrestimi i Erion Veliajt ka tronditur pozitat e tij brenda Partisë Socialiste. Gjatë gjithë ditës së premte, Rama dhe ekipi i tij lobuan fuqishëm për të marrë një ftesë në darkën ekskluzive ku ndodheshin JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Për këtë operacion u angazhua ish-emisari i Trump për Ballkanin, Richard Grenell, së bashku me dy biznesmenë shqiptarë, të cilët përdorën kontaktet e tyre për të afruar Ramën me administratën e re republikane. Dhe për pak ia dolën! Lobisti i përzgjedhur nga Florida kishte hapur rrugën për një takim të mundshëm, por atëherë ndodhi e papritura: në skenë u shfaq Susan Wiles, Shefja e Kabinetit të Donald Trump. Një nga njerëzit më me ndikim në orbitën e Trumpit, Wiles ka një reputacion të hekurt në filtrimin e çdo kontakti që tenton të afrohet me ekipin e tij. Sapo emri i Edi Ramës u përmend, ajo ndërhyri në mënyrë të prerë, duke e bllokuar menjëherë çdo përpjekje për ta futur në atë darkë. Sipas burimeve të besueshme, Wiles dërgoi një mesazh të prerë në ekipin e JD Vance: “He is a Soros buffoon. Stay as far away as possible” (Ai është një kukull e Sorosit. Qëndroni sa më larg të jetë e mundur). Kjo ishte goditja fatale për Ramën, i cili jo vetëm që nuk arriti të realizojë takimin, por u bë subjekt i një refuzimi publik që e vë atë në një pozitë edhe më të vështirë ndërkombëtare, raporton “Hashtag.al”. Mirëpo dështimi i këtij lobimi ka ekspozuar edhe më shumë izolimin politik të Ramës, i cili për vite me radhë ka qenë një nga të favorizuarit e rrjetit Soros. Ndërkohë që në Tiranë partia e tij është në tronditje pas arrestimit të Veliajt, në arenën ndërkombëtare ai po përballet me refuzime të njëpasnjëshme.
