Ja si po pastrohen paratë e pista në Shqipëri, bankat në rrezik të madh, Real Estate “lavatriçja” më e madhe, zbardhet raporti vjetor i Agjencisë së Inteligjencës Financiare që bashkëpunon me SPAK e SHISH

Data

Agjencia e Inteligjencës Financiare në Shqipëri, e cila merret me parandalimin e pastrimit të parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, nën varësinë e ministrisë së Financave, ka ngritur alarmin në raportin vjetor. Aty pranohet se subjektet bankare paraqesin një nivel të lartë risku për pastrim parash, bashkë me biznese dhe profesione jofinanciare. Sipas AFIU, agjenci e cila bashkëpunon dhe me SPAK e me SHISH, produktet bankare me më shumë rrezik për të larë paratë e pista janë transferimi i fondeve, brenda dhe jashtë vendit, si edhe depozitimet apo tërheqjet në cash. Kredidhënia është produkti i cili ka një vlerë të lartë të qarkulluar, por të dhënat tregojnë se kredia nuk është një produkt shumë i përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale. Shërbimet e-banking thotë raporti, rezultojnë me tendencë rritje, por ende mbetet jo dominues krahasuar me produktet e tjera. Edhe institucionet financiare jobanka kanë një rrezik të konsiderueshëm të pastrimit të parave, sipas AFIU, bashkë me zyrat e këmbimit valutor, duke pasur parasysh që lidhet direkt me paranë cash. Por shqetësim më i madh janë subjektet që bëjnë dërgesa parash pasi dërgojnë dhe marrin para nga çdo vend, mund të kryhen shumë pagesa në shuma të vogla, kombinim me këmbimin valutor, përfshirjen e vetë agjentëve në skema etj. Raporti thekson se fushat me risk më të lartë për të larë para të pista janë ato të pasurive të paluajtshme, ndërtimit, qendrat e call center-ave dhe shërbimet e konsulencës ekonomike, ligjore.

Detajet nga raporti

“Përdorimi i sistemit bankar është përgjithësisht i pashmangshëm në një apo më shumë faza të pastrimit të parave (vendosja, shtresëzimi, integrimi), për shkak kjo të natyrës së qenësishme të operacionit bankar, zhvillimit të tij dominues në vendin tonë krahasuar me subjekte të tjera financiare, madhësisë dhe rëndësisë së tij, si dhe për shkak të numrit të madh të klientëve apo transaksioneve të kryera në emër të tyre. Ndërsa sektori bankar në parim ka një ekspozim të lartë ndaj rreziqeve të pastrimit të parave, vlerësohet se ka ndërgjegjësim të mirë dhe mjete të përshtatshme dhe për t’i zbuluar ato. Kjo është konfirmuar përveçse nga vlerësimet ndërkombëtare të fushës edhe nga një nivel i lartë raportimi të RAD ndër vite jo vetëm në nivel numerik por edhe sa i përket cilësisë së tyre. Kështu si indicie për informacionet e dërguara nga AIF në organet ligjzbatuese në mbi 90% të rasteve kanë shërbyer RAD e dërguara nga sektori bankar. Profesioni i noterit është perceptuar dhe ka rezultuar edhe nga të dhënat si ndër më të cënueshmet krahasuar me subjektet/profesionet e tjera për shkak se noteri në Shqipëri ka një rol qendror, si dhe kryen një gamë të gjerë të veprimeve juridike (huadhënie, kontrata kredie, çelje trashëgimie etj.), për pjesën më të madhe e të cilave është mundësia e vetme për veprimet, përfshirë këtu edhe transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Produktet më të përdorura

Analizimi i të dhënave të disponueshme në kuadër të këtij vlerësimi tregoi se produktet më të përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale bazuar në analizë janë: transferta hyrëse/dalëse me dhe nga jashtë vendit, tërheqje/depozitim i fondeve, transferimi i fondeve brenda vendit. Për sa i përket përdorimit të transfertave bankare ndër karakteristikat që i bëjnë ato tërheqëse për rastet e pastrimit të parave janë: vështirësia për të monitoruar ose kontrolluar transfertat elektronike, në nivel të njëjtë me produkte të tjera bankare për shkak të vëllimit të transaksioneve; fondet mund të transferohen përmes juridiksioneve të ndryshme, në mënyrë që të humbasin gjurmët e burimit të fondeve, apo transferimet mund të bëhen nga një numër i madh llogarish bankare në depozitat që janë krijuar për të humbur gjurmët e llogarisë kryesore shpesh të vendosur jashtë vendit. Për sa i përket përdorimit të parasë cash ndër karakteristikat që i bëjnë ato tërheqëse për rastet pastrimit të parave janë: fshehja e origjinës së të ardhurave dhe vështirësinë në gjurmimin e këtyre të ardhurave”, thuhet në raport.

Mjetet Virtuale dhe Paraja elektronike

“Në vitin 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Objekti i ligjit është rregullimi i emetimit të xhitonëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, licencimi, monitorimi dhe mbikëqyrja e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale, të agjentit të tokenëve digjitalë, ofruesit të shërbime inovative dhe sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive. Në vijim të miratimit të ligjit 66/2020, autoritetet mbikëqyrëse, përkatësisht Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti Kombëtar për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI) kanë hartuar dhe miratuar aktet nënligjore në zbatim të ligjit 66/2020, rregulloret për mjaftueshmërinë e kapitalit të këtyre subjekteve, për procedurat e likuidimit vullnetar dhe të detyrueshëm, tarifat përkatëse të licencimit dhe mbikëqyrjes si dhe mirëmbajtjen e regjistrave të subjekteve të licencuar.

Të dhëna për periudhën 2019-2022

Aktualisht në vendin tonë nuk rezultojnë subjekte të licencuara si ofrues të mjeteve virtuale por në këtë kuadër vlen të parashtrojmë se: Si mjet pagese është e vështirë të realizohet në vendin tonë. P.sh nëse synohet blerje pasurie e paluajtshme dhe disponohet kriptomonedhë, kjo duhet të këmbehet paraprakisht në FIAT pasi pagesa duhet të kryhen në këtë lloj mjeti . Edhe Kazino brenda nuk ofrojnë mundësinë e përdorimit të kriptomonedhave. Shërbimet nga një sërë profesionistësh pranohen me pagesa elektronike nëpërmjet kartave dhe llogarive bankare, pra në monedha të njohura. Rezultojnë raste jo të shpeshta të investimit nga klientë të bankave shqiptare të fondeve të tyre në mjete virtuale, përmes platformave jashtë vendit që ofrojnë këtë mundësi, por nga bankat raportohet se për asetet virtuale në vitin e fundit kemi ulje të kërkesave të transaksioneve me kripto, kjo për shkak të politikave shtrënguese të bankave”, thuhet në raport.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related