Ajo që është bërë publike deri tani nga dosja “Balluku” përbën vetëm majën e asaj që përshkruhet si një skemë e gjerë paracaktimi tenderësh dhe favorizimi klientelist. Në një pjesë të dosjes voluminoze, rreth 16 mijë faqe, del në pah mënyra se si investimi publik i Unazës së Madhe të Tiranës është përdorur për të ushqyer një rreth të ngushtë kompanish të lidhura me qeverinë.
Sipas një denoncimi të depozituar nga një pjesëmarrës në garë, kriteret e tenderëve janë ndërtuar “lot për lot”, në mënyrë të tillë që fituesit të ishin të paracaktuar. Denoncimi përshkruan shkelje që konsiderohen favorizime të hapura dhe dhënie paraprake të tenderëve për shtatë kompani specifike.
Si u manipulua vlerësimi me pikë
Një nga elementët kyç të skemës ishte mënyra e pikëzimit:
•25 pikë jepeshin mbi baza subjektive, pa formulë të qartë vlerësimi;
•50 pikë i atribuoheshin ofertës ekonomike, ndërkohë që ligji parashikon që ky kriter të peshojë 70%.
Edhe pse lotet 1–7 kishin pothuajse të njëjtën natyrë pune dhe vlerë financiare, për secilin lot u vendosën kritere të veçanta, duke përjashtuar praktikisht konkurrencën reale.
Shembuj konkretë të kritereve “me emër”
•Loti 1: kriteret e kualifikimit përfshinin makina transporti të tipit “Damper”, pajisje që i zotëronte konkretisht një kompani e caktuar. Në vend të parametrave teknikë, u specifikua lloji i makinerisë, duke e bërë kriterin nominal.
•Loti 2: kriteret u ndërtuan për një kompani të vetme, përfshirë kërkesën për inxhinierë gjeoteknikë si drejtues teknikë. Ky kusht nuk u aplikua në lotet e tjera, ndonëse volumet dhe kushtet e punës ishin të njëjta.
•Loti 3: kriteret përputheshin me një kompani të lidhur familjarisht me figura të larta politike.
•Loti 4: kriteret u “qëndisën” për një kompani tjetër, e cila sipas denoncimit u fut në garë për shkak të garancive politike dhe institucionale.
•Loti 5: i përcaktuar për një kompani që, sipas denoncimit, ka përfituar disa tendera me vlerë të plotë nga ARRSH.
•Loti 6: i rezervuar për një kompani të përfshirë edhe më herët në skandale me Unazën e Madhe, e cila po përfiton gjithashtu koncesion rrugor me vlerë qindra milionë euro, me kosto për kilometër dyfish më të lartë se standardi.
•Loti 7: i premtuar paraprakisht për dy kompani të tjera.
Kritere shtesë për përjashtim
Në dokumentacion janë futur edhe kërkesa për numrin e punëtorëve në varësi të firmës, ndonëse vlerat e loteve ishin pothuajse identike. Ky element shërbente si filtër shtesë për të përjashtuar operatorë të tjerë ekonomikë.
Sipas denoncimit, ky model paracaktimi është shoqëruar me presione institucionale për të mbrojtur skemën dhe për të shmangur pasojat ligjore. Të gjitha të dhënat e paraqitura konsiderohen të verifikueshme në dokumentacionin zyrtar të tenderëve dhe në dosjen hetimore.
Në thelb, skema e përshkruar tregon një sistem ku konkurrenca është eliminuar përmes kritereve “me porosi”, duke e kthyer një investim madhor publik në një mekanizëm për përfitime klienteliste.
