Në një kohë kur shqiptarët po përballen me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale, një pjesë e madhe e parave të taksapaguesve vazhdojnë të shpenzohen për të mbështetur një agjendë, që më shumë se kaq, duket të jetë e fokusuar në mbajtjen e imazhit dhe propagandës së kryeministrit Edi Rama, se sa në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Buxheti i Agjencisë për Media dhe Informim, e drejtuar nga Endri Fuga, që funksionon si një “ministri e propagandës” për kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij, i është vendosur një fond prej 149 milionë lekësh për vitin 2025, një shifër që përkrah përpjekjet për të mbushur mendjet e qytetarëve me mesazhe të kontrolluara, ndërkohë që nuk ka ndikuar në përmirësimin e kushteve për shumë shqiptarë që vazhdojnë të luftojnë me pasigurinë ekonomike.
Ky fond, që do të përdoret për paga dhe sigurime për 69 punonjës, ka pësuar një ulje në krahasim me vitin 2024, por ajo çfarë nuk është ulur, është misioni i saj për të vazhduar me fushatat e shpërndarjes së informacionit të kontrolluar dhe “lavazhit” të trurit të qytetarëve, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme që mund të ishin investuar në përmirësimin e shërbimeve publike apo në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Ndërkohë theksojmë se kjo strategji e qeverisë është e padobishme. Kjo pasi në një kohë kur Shqipëria po kërkon të konsolidojë pozitat e saj për integrimin europian, “industria” e propagandës dhe manipulimit të informacionit është një ngërç që minon besimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë.
Detajet
Buxheti i Agjencisë për Media e Informim që funksionon si “ministri e propagandës” për kryeministrin dhe qeverinë do t’i kushtojë taksapaguesve 149 milionë lekë, sipas parashikimeve në projektbuxhetin e vitit 2025. Po, kjo shifër u cilësua si e ulët nga drejtori i kësaj agjencie Alteo Hysi gjatë një seancë dëgjimore dje në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku po diskutohet në parim buxheti i ri. “Është më i ulët se tavani buxhetor”, tha Hysi në komision duke shtuar se ishin ulur me 18 milionë lekë shpenzimet operative. Fondi prej 149 milionë lekë do të përdoret kryesisht për paga dhe sigurime për 69 punonjës që ka në organikë kjo agjenci dhe që punon kryesisht për agjendën e kryeministrit duke prodhuar materiale të gatshme nga takimet apo aktivitetet e tjera të tij. Në vitin 2024 buxheti i MIA-s ishte 156.9 milionë lekë, ndërsa në vitin 2023 ishte 122 milionë lekë.
Debatet
Deputetë të opozitës kërkuan informacion për buxhetin që shpenzohej për pasqyrimin e aktiviteteve të tjera të kryeministrit Rama jashtë funksionit të tij si kryeministër dhe akuzuan Hysin se agjencia që ai drejtonte përdorej vetëm për propagandën qeveritare dhe jo për informim të publikut. “Sa shpenzohet për podcastet e kryeministrit Rama dhe në cilin buxhet pasqyrohen”- e pyeti deputetja e Partisë Demokratike, Eralda Bano. Hysi pretendoi se Podcasti i Ramës ishte një aktivitet jashtë funksionit të tij publik dhe si i tillë nuk mbulohej nga buxheti i agjencisë edhe pse kjo agjenci njofton çdo të dielë mediat për të ftuarit e Podcast të Ramës dhe dërgon videot e gatshme të tij për publikim.
I pyetur nga “BIRN” për këtë kontradiktë Hysi nuk dha një përgjigje të qartë se pse MIA angazhohej të përcillte këtë aktivitet të Ramës, që nuk është një aktivitet publik. “Kanali i Ëhatsapit që ju i referoheni përdoret thjesht për lehtësi komunikimi me gazetarët”, tha ai, ndërsa këmbënguli se “burimet financiare, burimet njerëzore, apo logjistika që financohet me paratë e buxhetit të shtetit në funksion të aktivitetit të MIA-s, nuk përdoren në funksion të prodhimit të podcastit”. Hysi u përfshi në debat me deputeten tjetër të PD-së, Oriela Nebijaj, e cila ngriti shqetësimin për rolin e kësaj agjencie. “Nuk është e nevojshme sepse është në shërbim kryekëput të kryeministrit”, tha ajo. Por Hysi u përgjigj se me logjikën e deputetes as Shtëpia e Bardhë nuk do të kishte zyrë shtypi.
