Protesta e fundit e opozitës u shenjua nga bomba të shumta molotov të hedhura ndaj institucioneve shtetërore, selisë së Partisë Socialiste, si dhe nga dëmtimi i stacioneve të autobusëve dhe vendekspozimeve të materialeve publicitare, që ndodheshin përgjatë rrugës që ndoqi marshimi i drejtuesve të opozitës për afro tre orë në zonën qendrore të Tiranës. Juristi i njohur, Romeo Kara zbulon për gazetën se trazirat dhe kaosi që po kërkon të shkaktojë ish-kryeministri Sali Berisha dhe besnikët e tij nuk është për votën e lirë, por dhëndrin dhe fëmijët e tij, arrestimin e tij dhe akuzën ligjore ndaj tij. “Së pari, nuk ishte një mosbindje civile, por revoltë antidrejtësie, antindeshkim dhe antishtet ligjor. Si e tillë, kjo protestë merr karakterin e një kunderrevolucioni të drejtuar nga një familje mafioze peng-marrëse e fatit të vendit dhe institucioneve shtetërore.
Është e vetmja protestë anti-drejtësie në Europën moderne, një protestë e cila jo vetëm që është anti-drejtësi, por edhe anti-sistem dhe antikushtetuese, pasi kërkon të imponojë me dhunë qeverisjen, rotacionin, riciklimin jashtë mekanizmit të votës së lirë. Berisha, i cili është ideatori, frymëzuesi dhe organizatori i kësaj proteste, e pranoi hapur se kjo protestë bëhet për të, dhëndrin dhe fëmijët e tij, arrestimin e tij dhe akuzën ligjore ndaj tij. Protesta të tilla janë të destinuara të dështojnë dhe shërbejnë si sfida shoqërore dhe institucionale për të forcuar konceptin e shtetit, ligjit, drejtësisë dhe vullnetit të lirë të shprehur nëpërmjet votës së lirë. Grushtbashkuar rreth Berishës, me Berishën dhe për Berishën, duke djegur dhe dhunuar institucionet, kjo opozitë nuk vjen kurrë në pushtet”, u shpreh juristi.
Plani i Berishës dhe distancimi i Ilir Metës
Romeo Kara zbulon se djegia e selisë së Partisë Socialiste ishte një provokim për të shkaktuar trazira edhe më të mëdha, duke dhënë mesazhe për fillimin e një luftë civile. “Mesazhi i dhunës ishte i qartë: rrënim i institucioneve, bllokim i çdo procesi gjyqësor antiberishë dhe fillimi i një lufte civile. Djegia e selisë së PS-së ishte një provokim i qartë dhe i paramenduar për t’i fryrë përçarjes dhe kalimit të luftës politike nga institucionet në rrugë”, thotë ai. Nga ana tjetër, Z.Kara komentoi dhe distancimin që bëri Partia Demokratike nga Ilir Meta, duke e izoluar Partinë e Lirisë. Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, si figura kyçe të PD-së, po përpiqen të krijojnë një identitet të ri për partinë, të cilin e shohin si të ndarë nga koalicione të mëparshme që kanë sjellë sfida dhe kritika.
Për juristin Meta jeton me frikën e përballjes me institucionet e drejtësisë. “Ilir Meta sigurisht që ka qenë duke kalkuluar çdo veprim të tij, duke pasur parasysh që ai jeton me frikën e përballjes me institucionet e drejtësisë, ashtu si edhe vetë Berisha. Nëse situata do të eskalojë në dëm të institucioneve, me siguri ai do të bëhet më aktiv pro dhunës dhe përçarjes”, u shpreh Z.Kara. Kujtojmë se në fund të protestës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, deklaroi se mbrëmja e së hënës “ishte vetëm hapi i parë i mosbindjes civile”.
