Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare. Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit zyrtar, seancat do të mbahen çdo ditë nga ora 09:00 deri në 16:30. Procesi i deklaratave përmbyllëse do të nisë më 9 shkurt me paraqitjen e Prokurorisë, e cila do të vijojë edhe më 10 shkurt. Po atë ditë do të dëgjohet edhe deklarata përmbyllëse e përfaqësuesve të viktimave.
Nga data 11 shkurt do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve për të paraqitur qëndrimet e tyre përfundimtare para trupit gjykues.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuzat përfshijnë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje të paligjshme, burgosje, zhdukje me forcë të personave, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Krimet për të cilat akuzohen pretendohet se janë kryer ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza ndaj katërshes u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor të po atij viti, kur të pandehurit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues për vendimmarrje. Gjykatësit kanë një afat prej tre muajsh për të marrë dhe shpallur vendimin, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë, ose më gjatë në raste të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, Hashim Thaçi pritet të përballet edhe me një proces të veçantë gjyqësor, pasi ndaj tij pritet të nisë së shpejti një çështje e ndarë për pengim të administrimit të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë me personel ndërkombëtar.
