Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka reaguar lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen në disa qytete të vendit, duke i cilësuar ato si një shprehje autentike të pakënaqësisë publike dhe një dëshmi se qytetarët nuk janë më të gatshëm të qëndrojnë në heshtje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqiraj u shpreh se protestat kanë arritur të transformojnë zhgënjimin dhe dhimbjen e akumuluar në një akt publik dhe qytetar, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas saj, pushteti po përpiqet t’i etiketojë dhe minimizojë ato.
Sipas saj, reagimet e qeverisë tregojnë frikë dhe mungesë përgjigjesh përballë një lëvizjeje që nuk kontrollohet nga interesat politike tradicionale.
“Janë shumë të frikësuar, sepse pas shumë kohësh apatie, qytetarët kanë vendosur të bëjnë detyrën e tyre qytetare”, shkruan Beqiraj.
Ajo argumenton se protestat po bashkojnë njerëz të profileve të ndryshme, të cilët kanë të përbashkët pakënaqësinë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe mungesës së alternativave politike.
Sipas ish-zëvendësministres, dëshpërimi që shfaqet në shoqëri nuk është një gjendje psikologjike kolektive, por pasojë direkte e keqqeverisjes dhe mungesës së zgjidhjeve për problemet e qytetarëve.
“Dëshpërimi nuk është gjendje shpirtërore në këtë vend, por pasojë e keqqeverisjes dhe mungesës së alternativës politike”, thekson ajo.
Beqiraj vlerëson se arritja më e madhe e këtyre protestave është shndërrimi i pakënaqësisë në veprim publik dhe civil, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin hapur shqetësimet e tyre.
Në reagimin e saj, ajo akuzon gjithashtu klasën politike se ka tentuar prej vitesh të përçajë qytetarët dhe të largojë vëmendjen nga problemet reale, ndërsa shton se protestat po tregojnë se ekziston ende një frymë aktive qytetare dhe një vullnet për t’u angazhuar në mbrojtje të interesit publik.
“Kanë kuptuar më në fund se qytetarët janë të aftë të bashkohen rreth njëri-tjetrit dhe rreth së ardhmes së fëmijëve të tyre”, përfundon Beqiraj.
