Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike globale nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet më tej, duke theksuar se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.
Deklarata erdhi pasi forcat iraniane sulmuan anije tregtare në Gjirin Persik dhe goditën objektiva në rajon, në një kohë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin mbeten të larta.
Zëdhënësi i komandës ushtarake iraniane, Ebrahim Zolfaqari, tha se nëse lufta përhapet në të gjithë rajonin, tregjet e energjisë do të përballen me një tronditje të fortë.
“Siç kemi paralajmëruar më parë, nëse lufta përhapet në të gjithë rajonin, prisni që nafta të arrijë në 200 dollarë për fuçi”, deklaroi ai.
Zolfaqari shtoi se çmimet e energjisë janë të lidhura drejtpërdrejt me nivelin e sigurisë në rajon dhe se përshkallëzimi i konfliktit do të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare.
Në deklaratat e tyre, autoritetet iraniane paralajmëruan gjithashtu se mund të godasin edhe institucione financiare që bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke këshilluar qytetarët në rajon të qëndrojnë larg objekteve të tilla.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të fundit mes Iranit, Izraelit dhe forcave amerikane, duke shtuar shqetësimet për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik global.
