Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me tenderin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke theksuar se çështja është trajtuar me nivel të lartë sekreti.
Sipas saj, disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u janë komunikuar akuza për shkelje të barazisë në tendera. Hetimet janë përshpejtuar për shkak të afateve ligjore, me qëllim shmangien e parashkrimit të veprave penale.
Lala theksoi se dyshohet që kompanitë fituese kanë qenë të paracaktuara, ndërsa kriteret e tenderit janë përshtatur në favor të tyre. Sipas informacionit të saj, disa kompani nuk i kanë plotësuar kushtet, por janë favorizuar përmes ndërhyrjeve nga zyrtarë.
Ajo shtoi se hetimet nuk kufizohen vetëm në këtë vepër penale, por po shtrihen edhe në akuza të tjera si korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Deri më tani, tre persona rezultojnë të jenë marrë të pandehur, ndërsa hetimet vijojnë edhe për individë të tjerë.
Një tjetër element i dyshimtë, sipas gazetares, lidhet me strukturën e kompanive pjesëmarrëse në projekt, ku përfshirja dhe tërheqja e një kompanie të huaj ngre dyshime për skema të organizuara për të siguruar fitimin e tenderit.
Në përfundim, Lala theksoi se bëhet fjalë për një projekt strategjik, por që sipas hetimeve paraprake, rezulton të jetë zhvilluar në kushte të dyshimta, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e procesit.
